Kundërshtarë të vetvetes – Lajmi.net
Kundërshtarë të vetvetes
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinionPolitikë 15:55, 8 March 2017
Ne vet, në dëshpërim e sipër, shpeshherë i drejtohemi njeri-tjetrit duke thënë: Çfarë shteti jemi kur nuk i dimë kufijtë tonë?

Çështja e shumëpërfolur e Marrëveshjes së Kosovës dhe Malit të Zi për vijëzimin e kufirit në mes të këtyre dy shteteve, që prej fillimit të saj, në verën e vonë të vitit 2015-të e deri më sot, thuaja në tërësi është karakterizuar si temë që përkon me politikën tonë të brendshme. Në parim, është ky paradoks i llojit të vet, i paprecedent në këto anë të Evropës, mbase edhe më gjërë.

Ka pasë dhe sot e kësaj dite ka konteste për vijën kufitare midis shteteve që janë krijuar me zhbërjen e ish-Jugosllavisë. Por, ato janë bërë dhe po bëhen (si konteste), midis autoriteteve të dy shteteve, të cilat në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë, do të duhej të përmbyllej me një verdikt të Gjykatës së arbitrazhit. Vetëm në rastin e Kosovës, burimi i kontestit të një kufiri ndër-shtetëror është brenda vetë politikës vendore, në relacionet midis Qeverisë dhe Opozitës parlamentare.

Çka nuk kemi bërë tash e gati dy vjet? Kemi pasë debate shkencore, politike dhe të të gjitha llojeve të tjera, në Kuvend, në Qeveri dhe nëpër institucione të ndryshme. Kemi angazhuar komisione ndërkombëtare dhe vendore për të ri-shikuar vijën kufitare, edhe për ta matur gjithë territorin e Kosovës. Kemi shtyrë edhe State Departmentin të reagojë për këtë çështje. Natyrisht, për shkaqe të njohura, edhe instancat më të larta të BE-së e kanë thënë fjalën e tyre për këtë Marrëveshje, për shkak të varshmërisë së drejtpërdrejtë në mes të Ratifikimit të saj në Kuvendin e Kosovës dhe fitimit të së drejtës për qytetarët e Kosovës, për të udhëtuar pa viza në Evropë. Poashtu, e gjithë kjo temë u bë edhe një tjetër element  (shtesë), i trajtimit të çështjeve dhe sprovave gjeo-politike, që lidhen me rolin gjithnjë e më agresiv të Federatës së Rusisë në këto anë të Ballkanit, dhe me synimin e mbështetur të Malit të Zi për tu bërë pjesë përbërse e Paktit NATO.

Nuk ka gjë pra që nuk ka ndodhur dhe nuk është bërë që prej fundit të gushtit të vitit 2015! Madje, jemi bërë ekspertë të hartave dhe të kufijve që të gjithë, duke harruar, në ndërkohë, që në të vërtetë, rrëfimi për kufirin e Kosovës me Malin e Zi, i ka edhe disa shpjegime dhe interpretime të tjera, të cilat diku i kemi lënë pas, në mos edhe i kemi harruar në tërësi, në atë mësymjen për ta bindur (me të gjitha mjetet e mundshme), njeri-tjetrin cili ka të drejtë, dhe ku është në të vërtetë kufiri me Malin e Zi.

Kemi harruar ta zëmë faktin që Kosova është shtet që nga 17 shkurti i vitit 2008, dhe në nëntë vitet e kaluara, ne kemi kryer obligimin e vijëzimit dhe të demarkacionit të kufirit vetëm me Maqedoninë. Edhe atë e kemi bërë sepse ky detyrim u përcaktua  (me të drejtë), në Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Dihet pse ende nuk mund të përmbushet ky obligim, i shënjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ne është dashtë në ndërkohë t’i kemi të sendërtuara demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe me Shqipërinë. Kjo do të duhej të ishte sjellja e një shteti dhe e autoriteteve të tij, që i dinë prioritetet e veta. Çimentimi i kufijve me fqinjët, në këto anë të Evropës, është kusht pa të cilin nuk bën në përpjekjet e përbashkëta për të stabilizuar gjendjen në rajon.

Kemi harruar, pastaj, që çështja e kufirit të shtetit të Kosovës, në përgjithësi, ka rëndësi sa simbolike aq edhe përmbajtjesore për synimin tonë legjitim për të siguruar që Kosova të zë vendin si shtet në OKB, në OSBE, në Paktin NATO, në BE, kudo, në fakt. E dimë që sivjet na pret edhe një tjetër betejë e rëndë për tu bërë anëtar i UNESCO-s.

Ata që janë kundërshtarë të kësaj ambicie shumë të drejtë të Kosovës, në radhë të parë Serbia dhe Rusia, s’do mend që do t’i përdorin të gjitha mjetet e mundshme për ta zmbrapsur këtë synim të Kosovës. Nuk do të jetë aspak befasuese nëse këtu do të hyjë në punë edhe tema e kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Tek e mbrama, edhe ne vet, në dëshpërim e sipër, shpeshherë i drejtohemi njeri-tjetrit duke thënë: Çfarë shteti jemi kur nuk i dimë kufijtë tonë?

*Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net

Fjalët kyçe: Blerim Shala, Demarkacioni

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Rock Wheels
  • Play Zombie Big Trouble
  • Play World Soccer Champion
  • Play Bubble Trouble