Kundërkorrupsioni thotë se paratë e gatshme të zyrtarëve do të bëhen publike

Agjencia Kundër Korrupsionit duket se ka ndërruar qëndrim sa i përket një nisme për të bërë të mundur që paratë e gatshme të zyrtarëve të mos jenë publike në deklarimet e pasurisë në AKK.

Lajme

13/04/2018 11:10

Shaip Havolli, Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit , të mërkurën gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet dhe Financa kishte paralajmëruar ndryshimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë me të cilin, sipas tij, zyrtarëve që e kanë për obligim ta deklarojnë pasurinë do t’u bëhet e mundur t’i mbajnë të fshehta për publikun paratë e gatshme dhe ato të deponuara.

Por, pas reagimeve të shumta që pati kjo deklaratë, AKK doli me një komunikatë sqaruese duke thënë se në fakt në draftin fillestar të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të përcjellë tek Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë përcaktohen edhe detyrimet për publikimin e parave të gatshme.

Sqarimi i plotë i AKK-së:

Në kuadër të pakos ligjore të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit përveç ligjeve tjera në miratim janë edhe Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsion dhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik. Së fundmi në medie, veçanërisht në platformat online, janë publikuar disa shkrime të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e deklarimit dhe publikimit të parave të gatshme (parave kesh) të zyrtarëve të lartë publik dhe të gjithë atyre që iu nënshtrohen deklarimit të pasurisë.

Agjencia Kundër Korrupsionit përmes këtij sqarimi njofton të gjithë se ka përcjellë tek Grupi Punues i Ministrisë së Drejtësisë draftin fillestar të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik, i cili do të diskutohet më tutje nga anëtarët e grupit punues. Ky ligj përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë që t’i deklarojnë prejardhjen e pasurisë dhe dhuratave; parandalimin e pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë; kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe organeve tjera shtetërore për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së pasurisë dhe dhuratave.

Sipas draftit të propozuar të gjitha “të dhënat e deklarimit të pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshin: emrin, mbiemrin, pozitën, emri i institucionit, …, posedimi i letrave me vlerë, para të gatshme, detyrimet financiare që i ka zyrtari ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore publikohen nga Agjencia”.

Për më tepër, drafti i ligjit përfshinë edhe valutat digjitale në të cilën përdoren teknikat e enkriptimit për të rregulluar gjenerimin e njësive të valutës dhe verifikimin e transfertave të mjeteve, duke operuar si e pavarur nga banka qendrore.

Drafti fillestar i këtij ligji është përgatitur me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë të angazhuar nga projekti SAEK II i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP, dhe ekspertëve të projektit të Komisionit Evropian PECK II, implementuar nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së në Prishtinë, të cilët kanë marrë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë siguruar që drafti të hartohet sipas standardeve ndërkombëtare, legjislacionit relevant acquis dhe Konventave Ndërkombëtare në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Po ashtu janë marrë për bazë rekomandimet e raporteve dhe publikimeve të ndryshme të shoqërisë civile dhe medie që merren me fushën e kundër korrupsionit.

Duke u bazuar në të gjitha ato që u tha më lartë, mund të përfundohet se ky version rregullon çështjen e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik më mirë se ligji aktual në fuqi. Prandaj, mund të jenë keq-interpretuar disa deklarata në lidhje me këtë ligj. Përmes këtij sqarimi ju njoftojmë se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim nga Agjencia apo ndonjë institucion tjetër për mos publikimin e parave të gatshme (kesh).

Më poshtë mund të gjeni versionin e nenit të draft-ligjit në lidhje me regjistrin dhe publikimin e të dhënave:

Neni 15

Regjistri i Deklarimeve

  • Të dhënat e deklarimit të pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshin: emrin, mbiemrin, pozitën, emri i institucionit, adresa e institucionit, data e emërimit në funksion, data e dorëzimit të formularit, funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik, pasurinë e paluajtshme dhe llojin e saj, sipërfaqen, prejardhjen dhe në pronësi të kujt është, pasurinë e luajtshme dhe llojin e saj, prejardhjen, viti i përfitimit, vlera e deklaruar, apo të dhënat tjera dhe në pronësi te kujt është, aksionet në shoqëritë tregtare apo në ndonjë institucion tjetër, posedimi i letrave me vlerë, para të gatshme, detyrimet financiare që i ka zyrtari ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore.
  • Të gjitha të dhënat e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni publikohen në faqen e internetit të Agjencisë më së largu nëntëdhjetë (90) ditë nga dita e kalimit të afatit për deklarim të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik.
  • Qasja në të dhënat që nuk bëhen publike e që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik bëhet në përputhje me Ligjin relevant për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin relevant për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
  • Çdo kush mund të paraqes informacione me shkrim tek Agjencia të cilat informacione kanë të bëjnë me deklarimin e bërë nga zyrtarët e lartë publik, me qëllim që të vërtetohet se ai deklarim është apo nuk është i saktë.
  • Të dhënat të cilat nuk publikohen sipas paragrafit 1 të këtij neni mund të përdoren dhe procedohen tutje vetëm për qëllime të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit apo kontrollit të konflikteve të mundshme të interesit të zyrtarit të lartë publik në lidhje me ushtrimin e funksioneve publike.
  • Përpunimi i të dhënave personale që gjenden në regjistër bëhet në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ju njoftojmë se ky ligj është në procedurat e miratimit dhe ende është në fazën e diskutimit të grupit punues. Projekt-ligji do t’i nënshtrohet të gjitha procedurave të miratimit dhe do të jetë në dispozicion për diskutim për të gjitha institucionet dhe publikun gjatë fazës së diskutimeve paraprake dhe diskutimeve publike./Lajmi.net/