Kundër ndërkombëtarizimit të Kosovës

Ivica Dacic aktivizon zyrtarët dhe diplomatët serbë që të kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat e OKB’së. Ai thotë se, do të shfrytëzojë prezencën e Serbisë në Këshill të Europës dhe OSBE, që të ndalojë tentimet e Prishtinës.

Lajme

23/11/2013 11:22

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka bërë thirrje për një aktivizim të gjithë mekanizmave shtetërorë serbë për të parandaluar tentimet eventuale të Prishtinës për t’u anëtarësuar në organizatat që janë pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Dacic ka bërë të ditur se do të kërkojnë sqarime nga Brukseli, në rast se do të ketë tendenca të tilla nga Prishtina.

“Ne do të kërkojmë sqarime nga Brukseli gjatë raundeve të radhës së bisedimeve, nëse vije deri te tentime të tilla”, ka thënë Dacic.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mrkic ka thënë se do të shfrytëzojë delegacionet serbe në të gjitha takimet ndërkombëtare, për të stopuar këtë iniciativë.

“Ne do të shfrytëzojmë nga delegacionet tona që ne takimet ndërkombëtare të insistojnë në këtë çështje, dhe në rast se kjo nuk respektohet, atëherë ata do t’i lëshojnë këto takime”.

“Gjithashtu, ne do të mundohemi që përmes OSBE’së dhe Këshillit të Evropës, të lobojmë kundër këtyre tentimeve të Prishtinës për t’u anëtarësuar në  këto organizata”.

Qeveria e Serbisë, siç shkruan e përditshmja serbe Novosti, u ka dhënë instruksione të gjithë zyrtarëve shtetëror dhe diplomatëve serbë, që të lobojnë kundër tentimeve të qeverisë kosovare për të fituar një ulëse në OKB.

Gjithashtu, sipas kësaj të përditshme, thuhet se lotimi serb do të bëhet edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në federatat botërore të sportit.