Kumanova sot, çka tash?

Nata në Kumanovë ka kaluar e qetë, por paqartësia rreth gjithë asaj që ka ndodhur, vazhdojnë të ngrehin shumë dilema se nga po shkon Maqedonia.

Lajme

11/05/2015 09:57

Lufta 48 orësh mes policisë së Maqedonisë dhe një grupi të armatosur që e quan veten “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, ku mbetën të vrarë tetë policë dhe 14 pjesëtarë të kësaj ushtrie, ka bërë brenda popullatës të mbretërojë frika e inskenimit të një lufte të re ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

 

Sipas analistëve, pavarësisht nëpërkëmbjes dhe pabarazisë me maqedonasit, shqiptarëve nuk iu konvenon një luftë e re në Maqedoni, ndërsa vlerësohet se përfitues i vetëm i këtij incidenti është kryeministri ultranacionalist, Nkolla Gruevski.

Ky i fundit, i cili po mbush gati nj dekadë në pushtet, me një sistem qeverisje të korruptuar, po përballet me protesta të opozitës për largim nga pushteti, prandaj disa analistë, shqiptarë e maqedonas, vlerësojnë se situata si ajo që ndodhi në Kumanovë mund të jenë të inskenuara prej regjimit të tij.

Mbrëmë në Lagjen e Trimave, ku ndodhi lufta, banorët janë rikthyer në shtëpitë e tyre, por se cila është gjendja aty, gazetari Fatos Bytyçi ka edituar disa fotografi në profilin e tij në Facebook.

Ndërkohë në rrjetin social në Youtube është postuar një video, ku një shqiptar nga Kumanova kritikon regjimin e Gruevskit dhe udhëheqësit shqiptarë për tensionim të situatës, politikë kjo që sipas tij çon deri tek një luftë e re ndëretnike, për të cilën nuk janë të interesuar as shqiptarët dhe as maqedonasit.

YouTube player