Kulturë e Gjallë

15 mijë letonë qëndruan stoikisht në temperatura të ulëta në Riga për ta krijuar “Zinxhirin e Libërdashësve”, të gjatë 2 kilometra. Ata bënë bartjen e librave dorë më dorë nga ndërtesa e vjetër e Bibliotekës Kombëtare në atë të re.

ShowBiz

18/01/2014 21:00

Letonët e kanë festuar fillimin e mandatit të Rigës si Kryeqytet Europian i Kulturës me një ceremoni emocionale.

15 mijë njerëz qëndruan stoikisht në temperatura të ulëta për ta krijuar “Zinxhirin e Libërdashësve”, të gjatë 2 kilometra.

Rendi për Kulturë

Ky performans ishte i ngjashëm me “Udhën e Baltikut” (Baltijas cels) – demonstratën paqësore për pavarësimin nga Bashkimi Sovjetik, që u mbajt më 23 gusht 1989, me ç’rast 2 milionë protestues u kapën dorë për dore dhe krijuan një zinxhir njerëzor të gjatë 600 kilometra, që lidhi kryeqytetet e Estonisë (Tallinn), Lituanisë (Vilnius) dhe Letonisë (Riga).  

Në ngjarjen e së shtunës, njerëzit që përbënin zinxhirin i bartnin dorë më dorë librat prej Bibliotekës Kombëtare, 150 vjet të vjetër, drejt ndërtesës së saj të re, që do të inaugurohet në muajin gusht.

Liderët në shërbim të librave – Kryeministri Valdis Dombrovskis, Kryeparlamentarja Solvita Abotina, dhe Presidenti Andris Berzins.

Organizatorja Aiva Rozenberga tha se kjo kishte rëndësi të madhe simbolike për letonët.

“Për kulturë, ne jemi të gatshëm të qëndrojmë jashtë me orë të tëra në një ditë të ftohtë dimri”.

Ndërtesa e re e Bibliotekës Kombëtare ka kushtuar 166 milionë euro dhe është projektuar nga Gunnar Birkert, arkitekt letono-amerikan.

Bashkë me Rigën, Kryeqytet Europian i Kulturës sivjet është edhe qyteti suedez Umea.

A.M.

Pamje nga ceremonia.