“Kulaçi” i Prizrenit, ndahet në Prishtinë

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, edhe pas Vitit të Ri nuk ka arritur ta formojë qeverinë e re në Prizren. PDK dhe tetë partitë e tjera ende nuk po mund ta ndajnë ‘kulaçin’ e ekzekutivit të komunës.

Lajme

05/01/2014 14:30

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ende nuk ka arritur ta formojë qeverinë e re komunale, të dalë nga zgjedhjet lokale të vitit që shkoi.

Edhe pse në fundvit, Muja kishte premtuar se pas Vitit të Ri do t’i bënte të njohur emrat e rinj, një gjë e tillë deri më tani ende nuk ka ndodhur.

PDK dhe tetë partitë e tjera që do të bashkëqeverisin, nuk po mund ta ndajnë “kulaçin” e ekzekutivit të Prizrenit.

Çështja e ndarjes së ekzekutivit të “Qeverisë Muja lll”, ka mbetur të ndahet nga partitë në koalicionin në Prishtinë, bëjnë të ditur burime të Prizrenpress.

“Koalicionet janë krijuar në Prishtinë, kurse në Prizren vetëm janë nënshkruar. Çdo gjë do të ndahet në Prishtinë”, tregojnë këto burime.

PDK’ja në Prizren në zgjedhjet e fundit lokale ka arritur t’i fitojë zgjedhjet bashkë me partnerët e koalicionit. Zyrtarë të këtij subjekti politik në Prizren nuk janë në dijeni se sa drejtori se sa drejtori do t’i kenë në “Qeverinë Muja lll”.

Sipas të njëjtit burim, Kryesia e PDK’së në Prizren, deri më tash vetëm një herë është mbledhur për të diskutuar rreth ndarjes së Ekzekutivit me partitë e tjera që kanë hyrë në koalicion në zgjedhjet e fundit lokale.

“Kryesia e PDK’së ka formuar një komision i cili do të jetë pjesëmarrës gjatë negociatave që do të zhvillohet me partnerët për ndarjen e Ekzekutivit”.

Ndërkaq, AAK’ja është në pritje të jetësimit të marrëveshjes me PDK’në. Ky subjekt politik bashkë me LDD’në do të marrin postin e nënkryetarit dhe katër drejtori.