Kukësi dhe çështja e skandalit të basteve (VIDEO)

Skandali i basteve që përfshin skuadrën e Kukësit në Vjenë, po shkon drejt mbylljes. Kompania SportRadar në këtë rast ka implikuar në një çështje pa fakte ekipin e Kukësit.

Sport

18/07/2017 21:45

Në një intervistë për Top Channel, avokati i ekipit të Kukësit, Klaus Aindter, ka terguar gjithçka rreth çështjes.

“Për sa i përket skandalit të basteve, kompania zvicerane ‘SportRadar’ u përpoq të tregojë manipulimin për ndeshjen me Dinamo Moskën për faktin që humbëm 6-0. Unë kam në dispozicion dosjen me deklaratat e lojtarëve dhe menaxherëve të skuadrës të akuzuar. Janë 11 persona që kanë bërë deklarata dhe të gjithë kanë mohuar akuzat për trukim të ndeshjes”, është shprehur avokati i kuksianeve.

Avokati austriak thekson edhe një herë se nga kontrollet e telefonave celularë që policia austriake u ka sekuestruar 11 personave të skuadrës verilindore, nuk është gjetur asgjë për momentin.

“Nuk ka asgjë të re nga telefonat që i ka sekuestruar policia, për këtë arsye jam optimist se kjo çështje do të mbyllet dhe do t’i rikthehet dinjiteti skuadrës dhe lojtarëve. Mund të jetë çështje javësh, ose edhe muajsh, nuk kam diçka të sigurt për përfundimin e gjyqit”, ka shtuar ai.

Menjëherë pas përfundimit të çështjes avokati i skuadrës së Kukësit ka deklaruar se do të bëjnë gati dhe një padi ndaj “SportRadar”.

“Për fakt të keq është e vërtetë që ngrihen akuza pa fakte. Nëse sheh ndeshjen dhe më pas lexon akuzat, vë re se asgjë nuk ka kuptim. Ka pasur edhe për klube austriake apo rumune me akuza të ngjashme, por nuk ka asnjë sinjalizim për ndryshim koeficientësh apo transferta parash”, ka theksuar avokati Ainedter.

YouTube player