Kukan shpreh shqetësime për demokracinë në Ballkan, përmend edhe Kosovën

Eurodeputeti Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit në Komisionin Ndërparlamentar Serbi-BE për Stabilizim-Asocimin, sheh një trend shqetësues për demokracinë në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendet e të cilit aspirojnë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ai sheh një rreth vicioz, i cili dëmton demokracinë.

Lajme

20/04/2017 13:28

“Po shohim një trend shqetësues në të gjithë rajonin, kryesisht në lidhje me funksionimin e rregullt të demokracisë parlamentare dhe të disa institucioneve shtetërore. Kjo krijon një rreth thuajse vicioz, brenda të cilit demokracitë e dobëta krijojnë institucione të dobëta dhe anasjelltas”, thotë ish-ministri i jashtëm i Sllovakisë.

“Po përballemi me kriza serioze politike në Maqedoni e Shqipëri. Vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi e Kosova, po luftojnë me bojkotet parlamentare. Duket se ky është një trend rajonal, i cili është kundra-produktiv për zhvillimin demokratik në vendet në pragun e Evropës. Shpresoj që në muajt e ardhshëm të shohim hapa prapa nga ky trend. Në fund të fundit, ky është kriteri i parë i Kopenhagës dhe më thelbësori”.

Në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian, Kukan thotë se ai është një proces në zhvillim e sipër, ndonëse e ardhmja e këtij organizmi është vënë më tepër se kurrë në dyshim pas Brexit. Eurodeputeti shpjegon se Serbia është në rrugën e duhur, duke bërë përparim të qëndrueshëm, megjithatë nuk e ka përmendur njohjen e Kosovës, e e cila është gjithashtu një nga kushtet kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.