Kujtime në 69 vjetorin e Masakrës së Tivarit

Sot bëhen 69 vjet nga masakra më e madhe që u bë ndaj shqiptarëve. Me më 1 prill të vitit 1945, sipas disa shënimeve, u vranë mbi katër mijë ushtarë, kurse ne Dubrovnik, me 18 prill, nga helmimi janë vrarë 1300 shqiptarë të tjerë.

Lajme

30/03/2014 09:29

Sot shënohet 69 vjetori i maskës së Tivarit, e cila njihet si masakra më e madhe që u bë ndaj shqiptarëve, ku u vranë mbi katër mijë ushtarë-rekrutë shqiptarë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botëror, populli shqiptar ishte gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në kreaturën shtetërore të quajtur Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën.

Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar të bëjë masakra masive kudo.

Regjimi serb – jugosllav më 8 shkurt 1945 vetëm në Kosovë kishte vendosur administratë ushtarake, e cila udhëhiqej plotësisht nga ushtarakët serbo – malazezë. Me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav, kishte filluar edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve.

Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë; një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë).

Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalone e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë.

Gjatë rrugës këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim dhe duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë disa qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë.

Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngufatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik), janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin e Tregurit (Trogirit) në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, të Raguzës e të Tregurit, asnjëherë nuk është mësuar.