Kujdesuni për nishanet para se të shndërrohen në qeliza kancerogjene e t’ju rrezikojnë jetën

Në këtë artikull do të flasim për nishanet apo ato pika / njolla të vogla në ngjyrë kafe të errët, të pranishme në lëkurën e të gjithëve (sidomos te njerëzit me lëkurë të bardhë), të cilat zakonisht nuk shfaqin ndonjë problem, por ndonjëherë mund të kthehen në tumore të rënda (si melanoma e lëkurës).

Lifestyle

25/08/2018 18:25

Parandalimi më i mirë është përmes mbikëqyrjes së duhur dhe mbrojtjes së lëkurës. Secili prej nesh, duhet të mësojë rregullat themelore të vetëvëzhgimit dhe të kuptojë nëse një nishan rrezikon të shndërrohet në melanomë, transmeton living.al.

Çdo prind duhet të vëzhgojë gjithashtu nishanet te fëmijët, sidomos gjatë fëmijërisë së vonë dhe t’i edukojë ata me rëndësinë e vetëvëzhgimit periodik, që ta praktikojnë më vonë, në adoleshencë.

Kjo është shumë e rëndësishme pasi kështu, çdokush mund ta kontrollojë vetë veten kur është i zhveshur dhe mund të kapë në kohë ndryshimet në formë, madhësi, ngjyrë apo konsistencë, për ndonjë sinjal alarmi të mundshëm.

Çfarë masash duhet të marrim për të mbrojtur nishanet?
Shmangni ekspozimin në diell mes ores 11:00 dhe 16:00.

Preferoni diellin e orëve të mëngjesit apo dhe të pasdites, edhe pse nxirja do të kërkojë më shumë kohë, por mos harroni që rrezet e këtyre orareve janë të përshtatshme për marrjen e vitaminës D, shumë e nevojshme për kockat dhe për fëmijët.

Përdorni krem kundër diellit, sipas llojit të lëkurës. Mos harroni që kremrat me SPF (pra, me faktorë mbrojtës ndaj diellit, nuk duhet të jenë më poshtë se 30. Mos harroni se në verë, uji, djersa apo thithja e kremit nga lëkura bën të nevojshme lyerjen me të disa herë gjatë ditës.

Te fëmijët e vegjël, duhet të përdoret mbrojtje shumë e lartë pasi lëkura e tyre është shumë e ndjeshme!
Në plazh, përdorni veshje të lehta me ngjyrë të çelur (mundësisht të bardha), prej pambuku, sikurse dhe kapele.