Kujdes nga produktet e rreme të kozmetikës, përmbajnë urinë

E ballafaquar me një rritje të fluksit global të produkteve të rreme të kozmetikës, marka më e njohur në botë e kozmetikës është duke i paralajmëruar konsumatorët të kenë kujdes nga blerja e produkteve kozmetike potencialisht të rrezikshme.

Lifestyle

01/07/2015 17:43

Testet e kryera në disa produkte, që shumica vijnë nga Kina, kanë treguar se përmbajnë gjurmë të urinës, arsenit dhe metale të rrezikshme të rënda në produkte të syve dhe buzëve të bëra në kushte të pashëndetshme.

M.A.C e përshkruan këtë si një ‘epidemi globale’, pasi që dogana të ndryshme nëpër botë kanë zbuluar sasi të mëdha të produkteve të rreme ‘M.A.C’ gjatë pesë viteve të fundit, transmeton Lajmi.net.

Konfiskime të mëdha janë bërë gjatë këtyre viteve, kryesisht nga shitësit online, thotë menaxherja e përgjithshme e kësaj kompanie, Tanya Jackson.

Në Azi, kompania ka bashkëpunuar me disa agjenci ligjore dhe industri, për të çuar në bastisjen e punëtorive falsifikuese të këtyre produkteve dhe arrestimin e shpërndarësve të paautorizuar, transmeton Lajmi.net.

Miliona produkte të rreme online janë konfiskuar dhe shkatërruar gjatë muajve të fundit. Janë marrë gjithashtu shumë veprime për të mbyllur disa faqe në Facebook që merren me shitjen e këtyre produkteve, si pjesë e fushatës kundër tregtisë së paligjshme.

Kreu global i MAC Cosmetics, Karen Buglisi Weiler, tha se ‘ishte tronditur’ nga ajo që kishin zbuluar testet mbi këto produkte. Këshilla e saj është që klientët t’i hedhin ato mbeturina, sepse nuk e dinë se sa të rrezikshme janë.