Kuçi: Tribunali është më shumë politik sesa juridik

Hajredin Kuçi thotë se Kosova ka mjaftë kapacitete gjyqësore për t’u përballur me rastet për krime Lufte. Thotë se kërkesa për themelimin e një Tribunali për Krime Lufte, është më shumë politike sesa juridike.

Lajme

09/04/2014 14:21

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka përsëritur qëndrimin e tij se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme t’u ballafaquar me pretendimet për krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare Kosovës.

Kuçi në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, ka thënë kërkesa për krijimin e një Tribunali për Krime Lufte, ka të bëjë më shumë me qasjen e legjitimitetit ose të një kredibiliteti ndërkombëtar, sesa të mungesës së aftësive që i ka Kosova.

“Kërkesa ka të bëjë më shumë me qasjen e legjitimitetit ose të një kredibiliteti ndërkombëtar, sesa të mungesës së aftësive tona. Unë e përgëzoj ambasadoren amerikane që e pranoi në një mënyrë kur tha se ‘nuk është mungesa e kapaciteteve, sa është një kërkesë tjetër’”.

“Ne kemi fituar me tranziconin e EULEX-it, që nënkupton se BE-ja po beson se janë ngritur kapacitetet tona. Por, kjo është kërkesë që më shumë ka bazament politik sesa juridik”, ka thënë Kuçi në pyetjen e Radios Evropa e Lirë rreth themelimit të Gjykatës Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.