Kuçi: Mesazhet e SHBA i marrim seriozisht, do të gjejmë zgjidhje

Zëvendës kryeministri i Kosovës, nënkryetarë i PDK-së, Hajredin Kuçi nga selia e PDK-së ka përshëndetur vizitën e ndihmës sekretares së Shtetit, Victoria Nuland.

Lajme

11/07/2016 12:41

Kuçi duke mos dashur të deklarohet për porositë që la Nuland, tha se do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të krijuar konsensus, duke lënë që të kuptohet se është e pashmangshme gjetja e një zgjidhjeje për një kohë të shpejtë.

“Mesazhet e SHBA-ve i marrim seriozisht, por edhe interesin e Kosovës në aspektin nacional i ruajmë çdo herë. Jam i bindur që nuk jemi në vija të kundërta por në vija të njëjta. Do ta shfrytëzojmë çdo mundësi për ta krijuar konsensusin nacional, për ta respektuar kushtetutën dhe ligjet tona”, ka thënë Kuçi.

Përndryshe, ndihmës sekretaria e Shtetit, Victoria Nuland gjatë vizitës së djeshme në Kosovë ka lënë porosi të qarta që Kosova duhet të ndjek në rrugën evropiane. Proceset integruese evropiane, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë tema diskutimi në takimet e Nulan me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Në të gjitha këto takime, znj. Nuland thuhet të ketë përmendur rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si një proces mjaftë i rëndësishëm i cili i hap rrugë Kosovës në integrime evropiane.