Kuçi: Do të kërkojmë mendim nga Kushtetuesja

Hajredin Kuçi thotë se çështjen e marrëveshjes së tri partive LDK-AAK-Nisma, do ta dërgojë në Gjykata Kushtetuese. 

Lajme

11/06/2014 15:06

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, deklaroi në një konferencë shtypi se kjo parti nuk do të reagojë përderisa, marrëveshja në mes të tre partive LDK-AAK-Nisma për krijimin e një koalicioni qeverisës, nuk kalon nëpër rrugë institucionale.

Mirëpo sipas tij, nëse Presidentja e Kosovës e mandaton dikë, jashtë PDK-së, për kryeministër, atëherë kjo parti do të kërkojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuse.

“Sa i përket marrëveshjes së opozitës, është e drejtë e partive që të bëjnë marrëveshje të tilla, por vullneti i qytetarëve dhe Kushtetuta e Kosovës, nuk mund të cenohet me marrëveshja politike”.

“Derisa marrëveshja e tillë ose cilido veprim nuk kalon nëpër rrugë institucionale, ne nuk do të reagojmë. Në momentin që prek institucionet ne do të reagojmë. Dhe kushdo që bënë veprime jo-kushtetuese ne do ta dërgojmë Gjykatën Kushtetuese”.

Kuçi deklaroi se PDK pret që rezultatet të certifikohen në mënyrë të qetë dhe me përgjegjësi të lartë të ndërtohen institucionet e reja në Republikën e Kosovës.

“Të gjithë hapat për ndërtimin e institucioneve të reja do të jenë hapa të bazuar në ligj, në Kushtetutë dhe hapa institucional që respektojnë punën në Kuvend, Qeveri dhe institucione tjera”.

“PDK do ta menaxhoi me sukses fitoren e saj dhe në këtë mënyrë do ta respektojmë edhe vullnetin e shprehur të qytetarëve të Kosovës”.