Kuçi arsyeton Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të EULEX-it

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 93-të, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX).

Lajme

13/06/2016 19:43

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, prezantoi projektligjin në fjalë. Ai ka thënë se draftligji i miratuar më herët për ratifikimin e marrëvehjes ndërkombëtare, ka pasur për bazë letrën e presidentit të Republikës dërguar Federica Mogherinit, thuhet në njoftimin e Qeverisë, transmeton lajmi.net

“Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, ka deklaruar Kuçi.

Zv.kryeministri shtoi se arsyeja kryesore është se tani janë ditët e fundit të përfundimit të mandatit aktual të EULEX-it, dhe miratimi i projektligjit do të shprehte gatishmërin e Kosoës për sundim të ligjit.

“Me qëllim të tregimit të përkushtimit tonë për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj si dhe për të shprehur gatishmërinë për të vazhduar mandatin e tyre në Kosovë edhe për dy vjet, propozoj që ta miratojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Kuçi.

Kryeministri Isa Mustafa tha se arsyetimet janë dhënë nga zëvendëskryeministri Kuçi, për ndryshimet që janë dashur të bëhen në mënyrë që të procedohet në Kuvend.

“Do ta procedojmë sonte, në mënyrë që të sigurojmë që mbledhja e Kuvendit të thirret para skadimit të mandatit të EULEX-it dhe vendimi i Kuvendit të merret po ashtu para skadimit të mandatit”, deklaroi kryeministri Mustafa. /lajmi.net