Kuba, rrëzohet avioni i ngritur nga Havana me 104 vetë në bord

Një avion “Boeing 737” i linjës kombëtare ajrore të Kubës, “Cubana de Aviacion”, me 104 vetë në bord, është rrëzuar vetëm pak pasi ishte ngritur në fluturim nga Aeroporti ndërkombëtar “Jose Marti” i Havanës, lajm që raportohet nga televizioni shtetëror kuban këtë të premte.

Bota

18/05/2018 19:45

Fluturimi ajror ishte nisur drejt qytetit kuban, Holguin, por udhëtimi ka përfunduar me tragjedi, duke shkaktuar shumë të vdekur, deklaroi një burim i aeroportit për “CNN”, por pa dhënë detaje mbi numrin e viktimave.

Një shtëllungë e madhe zjarri dhe reja e dendur e tymit që pasoi ishin të dukshme ngado përreth kryeqytetit kuban, sipas dëshmitarëve.

“Cubana de Aviacion”, linja ajrore kombëtare e Kubës, është dashur të lërë në tokë disa prej avionëve të saj më të vjetër si pasojë e problemeve të sigurisë, ndërsa shkaku i rrëzimit të kësaj të premteje nuk bëhet ende i ditur.