Kuba ndërmjet SHBA-së dhe Venezuelës

E gjithë bota pret ndryshime serioze nga Kuba pas vizitës historike të Presidentit amerikan, Barack Obama, në ishullin e Karaibeve, por mbase pritshmëritë janë tepër të larta për regjimin komunist.

Bota

22/03/2016 09:40

Dy ditë para mbërritjes së Obamës, Kuba u vizitua nga Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, i cili u vlerësuar me nderin më të lartë të vendit, diçka që nga shumë analistë është cilësuar si një sfidë ndaj SHBA-ve dhe vetë kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti kuban, Raul Castro, i vendosi në gjoks Maduros medaljen e njohur si “Urdhri i Hoze Martit”, një shenjë e qartë solidariteti mes aleatëve socialistë që kanë qëndruar bashkë përballë SHBA-ve që kur paraardhësi i Maduros, Hugo Cavez, mori pushtetin në Venezuela në vitin 1999.

Në fjalimin e tij në Kuba, Maduro përsërit disa herë vlerësimin e tij për Cavezin dhe ish-liderin kuban, Fidel Castro, si edhe për heronjtë e pavarësisë të dy vendeve, Simon Bolivar dhe Hoze Marti, emra që shërbejnë si një thirrje kundër ndërhyrjeve të huaja.

Venezuela është një tjetër rival i SHBA-ve dhe Kuba s’mund të harrojë miqtë e vjetër që e kanë ndihmuar në kohë të vështira, vetëm sepse po bën miq të rinj.

Vizita e Obamës padyshim që është një ngjarje historike, por po aq i qartë është fakti se regjimi kuban s’mund të ndryshojë brenda ditës, duke nisur nga Presidenti Raul Castro që nuk është zgjedhur nga populli. /TopChannel