Ku të kthehet Kosova?

Nuk ka ku të kthehet Kosova. Dihet, tek e mbrama, çfarë domethënie ka synimi që këtu të prishet gjithçka që është bërë tash e 17 vjet, dhe që pastaj, të nisë e tëra sërish, duke fshirë gjithë historinë e re të Kosovës.

Opinion

18/02/2016 10:41

Çka do të thotë për Kosovën John Kerry, Sekretari i Shtetit, gjatë vizitës së tij në Tiranë, të dielen, me 14 shkurt? Cila do të jetë porosia a këshilla e tij për Kosovën, vetëm pak ditë para përvjetorit të pavarësisë, të mërkurën, me 17 shkurt?

Pyetjet e këtij lloji kanë qarkulluar me të madhe ndër ne, javën e shkuar, në kërkim të një shtegdalje nga gjendja e tanishme politike në vend, e cila bëri që as datëlindjen e shtetit të mos e shënojmë si duhet, apo që madje, ta presim me frikë që pikërisht këtë ditë, do të ketë trazira dhe dhunë rrugëve të kryeqytetit. Për fatin tonë  (të të gjithëve), këto paralajmërime dolën të gabuara. Së paku kësaj here.

Megjithatë, fakti që ne këndejpari në Kosovë, pritëm që Kerry pikërisht në Tiranë do ta thotë password-in (fjalëkalimin), e tëfillimit të lëmshit politik origjinal kosovarë, tregon se ku kemi rënë si politikë. Po ne e patëm Kerryn në Prishtinë, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, dhe në paraqitjen e tij mediatike, Sekretari i Shtetit na dha mësime, këshilla, sygjerime, vlerësime të cilat sot e kësaj dite kanë po të njejtën domethënie, sepse në ndërkohë nuk ka ndodhë as një i vetmi hap në politikën kosovare në përfillje të fjalëve të Kerry-ut. Në ndërkohë, prej atëherë pra, Ambasadori amerikan Delawie, ka pasë shumë prezentime mediatike, duke i përsëritur qëndrimet zyrtare të Washingtonit për situatën në Kosovë. Nuk bënë punë as këto fjalë të kryediplomatit amerikan në Prishtinë. Kot ishte e tëra. Së paku deri tash, kur me gjasë, do të ecet në një rreth tjetër  (të problemeve politike), në vijim të ‘pasurimit’ të mëtejmë të konfrontimit total në politikën kosovare, i cili duket se do të shquhet me ashpërësimin e ri të gjuhës që do të përdoret në komunikimin publik.

Vështirë është të parashikohet se çka do të ndodhë tash e tutje në Kosovë. Mbase, gjasat për vendosjen e një dialogu të mirëfilltë politik, midis Qeverisë dhe opozitës, i cili do t’i trajtonte të gjitha temat problematike, janë edhe më to vogla tani, pas ngjarjeve të 17 shkurtit, se sa që ishin më parë, ndërsa edhe ashtu, ato gravitonin kah zeroja.

Njëkohësisht, ka ngritje të mundësive që kundërthëniet në këtë relacion të marrin trajtën e kërcënimit të sigurisë në Kosovë.

Mbase, shumëçka në këtë aspekt varet nga qartësimi i Agjendës politike.

Çka është pra në pyetje, në gjithë këto zhvillime që kanë goditur rëndë normalitetin politik në këtë vend, që nga fundvera e shkuar. A bëhet fjalë për idenë që të kemi Qeveri më të mirë në Kosovë, të ndryshojë vetë modeli i Qeverisjes me këtë vend, apo, madje, të prishet krejt çka kemi mbërri në Kosovë, në 17 vitet e fundit, për ta kthyer pastaj gjendjen në Pikën Zero, për të vendosur atëherë fatin e Kosovës?

Dallimi midis këtyre tri synimeve është shumë i madh, madje, i patejkalueshëm, veçmas midis opsionit të tretë, dhe dy të parëve.

Nuk ka dilemë që e gjithë ndërmarrja e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, pastaj, edhe ajo e ndërtimit të shtetit, që prej shkurtit të vitit 2008 e këndej, ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Ka pasë, gjithsesi, gabime, mbase të pashmangshme, edhe në Konferencën e Rambouillet-it, edhe në Procesin e definimit të statusit të Kosovës në Vjenë, edhe pas bërjes së shtetit, në vitin 2008. Por nuk ka gabim më të madh politik që mund të bëhet sot në Kosovë, se sa të theksohet që vet Rambouillet-i si i tillë është dështim i madh, se vet Vjena ka qenë gabim fatal për Kosovën, që vet bërja e shtetit të Kosovës është vendim i mbrapsht.

Çlirimi i Kosovës dhe bërja e shtetit të Kosovës, janë dy ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve të Kosovës, të cilat u arritën mbi të gjitha si pasojë e krijimit të partneritetit të mirëfilltë midis Kosovës dhe Perëndimit.

Nuk ka ku të kthehet Kosova. Dihet, tek e mbrama, çfarë domethënie ka synimi që këtu të prishet gjithçka që është bërë tash e 17 vjet, dhe që pastaj, të nisë e tëra sërish, duke fshirë gjithë historinë e re të Kosovës. Diçka e tillë nuk bëhet më as në filma, e jo më në jetë, në politikë.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)