Ku shkon yndyra kur humbim peshë?

Çfarë do të thotë të djegim yndyrën? Ku shkon tërë ajo sasi e saj? E sigurt është që nuk ik me vrap nga trupi!

Lifestyle

18/02/2016 09:51

Shumë shpesh keni pasur rastin të lexoni nëpër revista të ndryshme apo dhe të dëgjoni në programe televizive rreth mënyrave të duhura për të humbur peshë, por si arrijmë të djegim yndyrën dhe ku shkon ajo pas djegies? Dihet se sasitë e tepruara të formave të ndryshme të ushqimit si proteinat dhe karbohidratet shndërrohen në yndyrna dhe ruhen si të tilla në trupin e njeriut.

Pas çfarëdo forme të aktivitetit, trupi fillon t’i shfrytëzojë lëndët ushqyese të cilat gjenden në trup, të cilat vijnë nga ushqimi që e konsumojmë. Në kohën kur trupi jonë fillon të djegë më shumë kalori sesa janë konsumuar, për t’u furnizuar me energji, duhet të mbështetet në rezervat e yndyrës të cilat janë të ruajtura në trup.

Indi dhjamor në trupin tonë është i përbërë nga qelizat yndyrore të quajtura adipocite, të cilat janë të mbushura me molekula të triglicerideve. Kur dëshirojmë të djegim yndyrë ne realisht jemi duke tentuar t’i largojmë nga trupi jonë trigliceridet, sasitë e mëdha të të cilave janë të lidhura me sëmundje të zemrës dhe sindromën metabolike. Oksidimi i tërësishëm i këtyre molekulave involvon shumë procese të ndryshme biokimike por do të mundohemi që ta thjeshtësojmë problemin ashtu që ju ta keni më të qartë.

Ajo çfarë ndodh me këto molekula gjatë ushtrimeve është se ju jeni duke i zbrazur rezervat e yndyrës në trup, të cilat shndërrohen në dioksid karboni, ujë dhe energji. Ndoshta mendoni që shumica e yndyrës të cilën trupi juaj e zbërthen shndërrohet në energji, dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo çfarë trajneri juaj personal ju ka thënë, por në fakt, ndodh diçka krejt tjetër.

Bazuar në një studim i cili është publikuar në British Medical Journal shumica e yndyrës e cila djeget si pasojë e ushtrimeve shndërrohet në dioksid karboni! Sipas përllogaritjeve të cilat hulumtuesit i kanë bërë gjatë këtij hulumtimi del se 84% e triglicerideve lirohen si dyoksid karboni që do të thotë se, nëse ju humbisni 10 kilogram yndyrë, 8.4 kg e tyre do të lirohen në atmosferë si dyoksid karboni përmes frymënxjerrjes dhe pjesa tjetër e mbetur do të nxirret përmes djersës ose ndonjë procesi tjetër fiziologjik.

Për më tepër, hulumtuesit kalkuluan edhe sasinë e dyoksidit të karbonit e cila nxirret gjatë çdo frymënxjerrjeje edhe në qetësi. Rezultatet treguan se 33 % e materieve të cilat nxirren jashtë janë dyoksid karboni dhe ky rezultat është mjaft premtues kur është në pyetje djegia e yndyrës. Mirëpo, autorët po ashtu gjetën se një kifle e madhësisë normale i plotëson 20 % të nevojave ditore për furnizim me energji. Kjo do të thotë që një sasi shumë e vogël e ushqimit do të bëjë që i tërë procesi stërvitor të cilin e praktikoni çdo ditë mund të shkojë huq nga sasia e ushqimit të cilën e konsumojmë.