Ku shkojnë paratë e mërgimtarëve?

Mbi gjysmë miliard euro vijnë në Kosovë çdo vit nga mërgimtarët kosovarë. Kështu thonë të dhënat e Bankës Qendrore, sipas së cilës mbi 700 mijë qytetarë të vendit tonë jetojnë jashtë.

Lajme

23/07/2014 23:00

Dërgesat e mërgimtarëve kosovarë kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë, vite me radhë. Këto mjete kryesisht shpenzohen për konsum dhe shumë pak për investime, siç është krijimi i bizneseve të reja.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve do të ishte orientimi i tyre në investime në sektorë të ndryshëm në Kosovë, në hapjen e bizneseve familjare, e që rrjedhimisht do të mundësonte punësim dhe zbutje të varfërisë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se kontributi i dërgesave të emigrantëve kosovarë ka qenë jashtëzakonisht i madh, por fokusi i remitencave duhet të ndërrohet.

“Një pjesë e madhe e parave të diasporës shpenzohen për ahengje, për dasma e që, në fakt, kanë efekte afatshkurtër në ekonominë nacionale dhe efekti i tyre do të ishte shumë i dobishëm sikur ato dalëngadalë të orientoheshin nga dërgesat e drejtpërdrejta për familjarët e tyre në dërgesa në investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat do të gjeneronin vende të punës dhe të ardhura për familjarët e tyre në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara. Thuhet se mbi 25 për qind e familjeve në Kosovë pranojnë remitenca. Por, për t’i orientuar këto mjete në investime, autoritetet e Kosovës duhet të krijojnë parakushte për investime, vlerëson Gashi.

Deri më tani, shton ai, nuk është bërë sa duhet që të mobilizohet ky potencial financiar që posedon diaspora kosovare.

 “Hulumtimet kanë treguar se vetëm ¼  e potencialit financiar të diasporës vjen në Kosovë, kurse pjesa tjetër ruhet në bankat dhe institucionet financiare në vendet ku diaspora kosovare jeton dhe punon. Unë mendoj se mundësia më e madhe e Kosovës për të inkurajuar investimet e jashtme është pikërisht diaspora jonë, e cila ka një potencial të fuqishëm financiar dhe mundësi të mëdha për të investuar”, thekson Gashi.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderojnë se dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë qenë fuqi ekonomike për Kosovën.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini mendon se deri më tani ka qenë e nevojshme që remitencat të shpenzohen për konsum apo për ndërtimin e shtëpive, siç ka ndodhur menjëherë pas luftës në Kosovë. Por, që tani investimi i këtyre mjeteve duhet të bëhet në krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Diasporën ne nuk e kemi vetëm fuqi të krahut në vendet e perëndimit, por tani kemi menaxherë të mirë, biznesmenë të mirë deputet, njerëz që u shërbejnë shteteve të ndryshme, të gjitha këto e ngritin imazhin e diasporës tonë dhe i ngritin të hyrat edhe për vete dhe i jepet mundësia për të investuar në ndonjë biznes”, ka thënë Shahini, raporton REL.