Ku mbeti Republika e Tretë e Lëvizjes Vetëvendosje?

Përpjekjet për të marrë më shumë vota, kanë bërë që Lëvizja Vetëvendosje të heq dorë nga qasja e saj tradicionale dhe ta ndryshojë plotësisht retorikën dhe temat për të cilat fliste.

Lajme

02/06/2017 14:38

Deri pak para zgjedhjeve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për Republikën e Tretë. Kjo Republikë e Tretë, sipas tij, duhej të ishte një ndryshim radikal nga e kaluara, duke ndërtuar një realitet të ri që synon demokraci për shoqërinë dhe institucionet, zhvillim për shtetin dhe ekonominë, drejtësi për qytetarët dhe njerëzit.

Sipas Kurtit dhe drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, republika e parë ishte shpallur më 2 korrik të vitit 1990 nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës dhe që konsiderohet si republikë për rezistencë.

Republika e dytë është shpallur në 17 shkurt të vitit 2008, që nisi me ndërtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, si republikë parlamentare, por që sipas Vetëvendosjes është një republikë e mbrapshtë e karakterizuar nga dy procese të dëmshme: negociatat e padrejta me Serbinë dhe privatizimin e egër dhe abuziv.

Republika e Tretë, sipas Kurtit, synonte të përmbyste këtë realitet dhe të ndërtonte nga e para një republikë sipas ideve të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Mirëpo, krejt ndryshe nga retorika revolucionare që mbizotëronte deri para disa javësh, Vetëvendosje është duke e moderuar plotësisht tonin dhe po përpiqet të krijojë në publik imazhin e një partie institucionale.

Lidershipi i saj tash shihen edhe me kostume e kravata, duke folur për drejtësi dhe jo për hakmarrje. Ata kanë zbutur edhe gjuhën për dialogun apo çështjet e tjera ndëretnike dhe janë përqendruar te aspektet zhvillimore të vendit, ndërkohë që gjatë gjithë legjislaturës së kaluar kanë folur vetëm për demarkacion, asociacion dhe Republikën e Tretë.

As në përmbledhjen prej 40 pikave të programit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe as në daljet e shpeshta televizive të figurave të saj, më nuk është përmendur qoftë njëherë Republikën e Tretë.

Moderimi i qëndrimeve të Vetëvendosjes u pa edhe në fushatën elektorale të vitit 2014, mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe iu rikthye qëndrimeve dhe veprimeve agresive të cilat e kanë karakterizuar këto tre vjet.

Mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do i rikthehet kërkesave për Republikës së Tretë menjëherë pas zgjedhjeve. /Analizë e Lajmi.net/