Ku gabon Index Kosova?

Kam respekt të madh për hulumtimet e opinionit publik.

Lajme

29/12/2016 16:06

Dobia e shumëfishtë për realitetin social më ka bindur se hulumtimet e opinionit publik janë të domosdoshme si pikënisje themeltare e çdo strategjie dhe planifikimi institucional ose politik.

Gjatë dy dekadave të fundit më është ofruar mundësia të jem afër dhjetëra projekteve hulumtuese në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Ky respekt dhe kjo përvojë besoj se ma kanë dhënë të drejtën të flas publikisht për to, gjë të cilën e kam bërë shpeshherë nëpër studiot televizive.

Ma kanë mundësuar t’i dalloj hulumtimet profesionale nga ato joprofesionale, kreativet nga rutinoret – si në aspektin e metodologjisë, ashtu edhe në nivelin e analizës statistikore.

Dhe, ç’është më e rëndësishmja –më kanë pajisur me njohuri që më japin guxim të vlerësoj se sa i dobishëm për fushën e hulumtuar mund të jetë një hulumtim i caktuar.

Për këto arsye kam vendosur të reagoj ndaj hulumtimit të posapublikuar të Index Kosovës, me qëllim të mirë që kritikat e mia të kontribuojnë në përmirësimin e disa defekteve të cilat i kam identifikuar edhe më herët, por kam shpresuar se do të korrigjohen, gjë që nuk ka ndodhur deri më tash.

Nuk dua të merrem me pjesën e hulumtimit ku përfshihen rezultatet e partive politike. As me tabelat e gjendjes sociale dhe ekonomike në Kosovë. Ato bartin një pasqyrim që mund të vërehet me lehtësi kur të mbahen zgjedhjet, ose me matje tjera.

Në këtë hulumtim, në pjesën e mediave, prezantimi i shikueshmërisë është bërë vetëm me anë të përqindjeve të përgjithshme, në formatin: “Televizioni A ka 20% të shikueshmërisë”, “Televizioni B ka 15% të shikueshmërisë”, “Televizioni C ka 10% të shikueshmërisë”, etj.

Dhe gjithçka ka mbetur në këtë.

Çfarë mund të kuptohet?

Asgjë relevante.

Prezantimi kumulativ, pra i përgjithshëm, i shikueshmërisë, asnjëherë nuk duhet të publikohet vetëm me përqindjet totale, pa i përfshirë edhe përqindjet krahasuese në kategoritë si koha e transmetimit (“time slot”), mosha, gjinia, statusi social, etj.

Publikimi i krahasimeve në kategori të ndryshme ka rëndësi kryesore për ta kuptuar plotësisht gjendjen reale të spektrit televiziv në raport me shikueshmërinë.

Identifikimi i shikueshmërisë së programeve televizive është proces kompleks dhe konsideroj se është gabim i madh të thjeshtëzohet vetëm në përqindje kumulative.

Është esenciale të dihet “kush, çfarë, ku dhe kur shikon”, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet fuqia reale e një televizioni në shoqëri.

Sipas qasjes së Index Kosovës, të gjitha emisionet televizive janë totalisht të barabarta, pa marrë parasysh natyrën e tyre dhe kohën e transmetimit.

Nuk ka logjikë që kjo të jetë e vërtetë.

Si mund të barazohet seriali turk që transmetohet paradite në orën 10:00 me dokumentarin hulumtues të orës 21:00?

Emisioni për kuzhinë i orës 16:00 me edicionin qendror të lajmeve?

Sporti me debatet politike?

Programet e mëngjesit me programet e vonshme të natës?

Janë krejtësisht të ndryshme dhe si të ndryshme duhet të analizohen e krahasohen, natyrisht, brenda ngjashmërive kategorike.

Televizionet kosovare kanë shumë emisione të rëndësishme që mund të krahasohen pa problem: programet e mëngjesit, lajmet kryesore, debatet politike, programet e pasdites, serialet, emisionet sportive, programet e vikendit.

Metodologjia e prezantimit të shikueshmërisë televizive që aplikohet nga Index Kosova nuk është bashkëkohore – është tejet kufizuese për analizë dhe interpretim.

Ajo nuk i krahason emisionet dhe nuk e bën dallimin esencial mes periudhës kryesore të shikueshmërisë (“Prime time”) dhe kohëve tjera televizive.

“Prime time” konsiderohet hapësira kohore prej orës 20:00 deri 23:00 (me disa variacione të vogla), nga e hëna deri të premten.

Është zemra e betejës së televizioneve për shikueshmëri, sepse sjell ndikim dhe reklama.

Për çfarë shërben një hulumtim i shikueshmërisë televizive nëse ai nuk e tregon raportin e televizioneve në “Prime time”?

Një shembull. Televizionet kosovare e kanë ditë shumë të rëndësishme të enjten, pasi në “prime-time” janë 7 emisione të debateve politike. Është e domosdoshme për një hulumtim që të tregojë cili, nga kush, dhe ku shikohet më shumë.

Index Kosova e ka shfrytëzuar “metodën e ditarit” për mbledhjen e informacioneve, që do të thotë se informatat për shikueshmërinë në orë të caktuara tashmë i ka në bazën e të dhënave, prandaj është shumë e lehtë t’i publikojë ato. Mbase jo kësaj radhe, por herëve tjera patjetër.

Nëse u referohemi hulumtimeve të kompanisë së njohur për matjen e shikueshmërisë – Nielsen Media Research, shohim se kategoria e moshës 19-49 vjeç është ajo që i dikton trendët e emisioneve në Amerikë dhe trajtohet si më e rëndësishme edhe se numri i përgjithshëm i shikuesve.

Edhe për televizionet kosovare është obligative të dihet cila moshë çfarë shikon.

Një faktor tjetër që gjithsesi duhet të merret parasysh është edhe shikueshmëria e emisioneve përmes internetit, që, realisht, është problematike edhe për kompanitë e njohura botërore të hulumtimeve.

Një emision televiziv kosovar mund t’i ketë dhjetëra mijëra shikime në YouTube, ose në transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook dhe livestream. Patjetër duhet të gjenden forma për ta përfshirë edhe këtë shikueshmëri në përqindjet përfundimtare.

Matjet e sakta dhe të detajuara janë jashtëzakonisht të rëndësishme për dy arsye.

E para, vlerësojnë punën e secilit televizion në bazë të profesionalizimit dhe ndikimit.

E dyta, motivojnë për angazhim dhe ndryshim.

Prandaj, do t’iu jem shumë falënderues kompanive hulumtuese, atëher, kur do të më bindin me metodologjitë e tyre të matjes dhe prezantimit të shikueshmërisë televizive dhe matjeve tjera të opinionit publik.

P.S.

Po e përfshij edhe tabelën e ndarjes së kohës televizive në Amerikë.

“Fringe” është koha kur shfaqen seriale të vjetra ose programe të produksioneve të jashtme.