Kthimi në protokoll i Ditës së shtetit të Kosovës

Dita e pavarësisë së një shteti në shtetet perëndimore, shumë më tepër shfrytëzohet për të bërë një vlerësim të situatës aktuale në atë vend dhe në atë shoqëri, se sa të bëhet një rekapitulim i rëndomtë historik.

Lajme

16/02/2017 16:13

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur javën e shkuar, nën Pikën ‘Nën të ndryshme’ të Agjendës së Qeverisë së Kosovës  (për këtë mbledhje të rregullt), u miratua vendimi që të ndahen 70 mijë Euro për shënimin e përvjetorit të nëntë të pavarësisë së Kosovës. Pra, diku jo më shumë se dhjetë ditë para Ditës së shtetësisë së Kosovës, u dedikuan shtatëdhjetë mijë Euro për manifestimet dedikuar Ditës më të rëndësishme politike dhe historike të Kosovës.
Mbase, me këto rreshta do të mund të rrumbullakësohej fare saktë se si i qasemi ne vetë shënimit të Ditës së shtetit të Kosovës.
Kësaj radhe, si në të shumtën e rasteve në vitet e kaluara, gjithçka është reduktuar në një protokoll të rëndomtë, pa ndonjë ngjarje e cila qoftë edhe në një dimension kulturor dhe artistik, do të tregonte që ne dimë t’i tejkalojmë kornizat protokollare, dhe të jemi kreativ në masën që do ta shquante me një origjinalitet kremtimin e nëntëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Norvegjia ta zëmë, e paska traditë që në Ditën e pavarësisë së saj, të parakalojnë fëmijët, dhe jo trupat ushtarake në shprehje të respektit për këtë përvjetor. Gjithsesi origjnale.
Siç po shihet ditëve të mbrama, edhe ky përvjetor i pavarësisë ndër ne do të shfrytëzohet  (zatën, si çdo gjë tjetër), për të vazhduar me përplasjet e çdollojshme politike, të cilat nuk kanë kursyer as më parë, as 17 shkurtin, si Ditën e shtetit të Kosovës, por as vetë shtetin e Kosovës si arritjen më të madhe të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të këtij vendi. Kjo ditë edhe në vitin e kakuar u përdorë për një fushatë kundër shtetit të Kosovës, duke thënë, midis tjerash, që 17 shkurti është një festë e shpifur.
Si e festojnë Ditën e pavarësisë shtetet që tash e sa kohë njihen si shtete të demokracisë liberale, duke nisë këtu me SHBA-në?
Natyrisht, dita e lindjes së një shteti, nuk ka si mos të kthejë kryepolitikanët e një shteti demokratik prapa në histori, në kohën kur edhe u bë ky shtet. Por, në fjalimet që i dedikohen kësaj feste, kur zihet në gojë historia, aty nuk ka as patetikë, as popullizëm, as politikë të përditshme, as propagandë dhe fushatë zgjedhore. Edhe vetë historia kombëtare, rishikohet me arritjet dhe gabimet e saja, gjithsesi duke synuar kontekstualizimin e saj, në rrethanat aktuale kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dita e pavarësisë së një shteti, objektivisht, në shtetet perëndimore, shumë më tepër shfrytëzohet për të bërë një vlerësim të situatës aktuale në atë vend dhe në atë shoqëri, dhe për të paralajmëruar, më qartë dhe më kumbueshëm se në dymbëdhjetë muajtë paraprak, se cilat do të jenë synimet dhe veprimet kyç të udhëheqësisë së një shteti, se sa të bëhet një rekapitulim i rëndomtë historik.
17 shkurti i vitit 2018-të, do të jetë pak më ndryshe për ne të gjithë, sepse do ta shënojmë dhjetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, gjë që do të duhej të ishte një festë e jubileut të parë.
Nuk do të duhej të na ndodhte, si kësaj here, që pak ditë para shënimit të Ditës së pavarësisë së Kosovës, t’i ndajmë disa dhjetëra mijëra Euro për kremtimet protokollare.
Rendi do të ishte që së shpejti, por jo më larg se në pranverën e këtij viti, të mendojmë për një festim shumë më ndryshe të 17 shkurtit të vitit 2018, si në aspektin protokollar, ashtu edhe në atë kulturor/ artistik, politik dhe diplomatik. Do të duhej të ndahej një shumë më e madhe nga Buxheti i Kosovës për këtë Ceremoni të veçantë. Gjithashtu, do të duhej provuar qysh tash që në Dhjetëvjetorin e pavarsësisë, t’i kemi të pranishëm në Prishtinë, artistët më të njohur kosovarë që kanë bërë emër në Evropë dhe në Botë, të cilët do të performonin në koncerte të ndryshme, dhe që do të ofronin veprat e tyre për galeritë artistike të Prishtinës.
Gjithsesi, kësaj radhe, do të ishte e pritshme që në Kosovë të sillen edhe politikanët dhe diplomatët më të rëndësishmën të Perëndimit, jetëshkrimi i të cilëve lidhet me bërjen e shtetit të Kosovës.
Më në fund  (për nga rëndësia, krejt në krye), politika kosovare do të duhej të tregohej shumë më e përgjegjshme, më e pjekur, më vizionare. Në këtë kontekst, do të ishte dështim i papërballueshëm nëse edhe me17 shkurt të vitit 2018, qytetarët e Kosovës nuk do ta kenë tashmë të drejtën për të udhëuar lirshëm, pa viza në Evropë.
*Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net