Kthimi i qeverisjes në duart e qytetarëve

Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të fushatës zgjedhore në Suharekë, tha se PDK është e vendosur fuqishëm për t’i fituar zgjedhjet në këtë komunë. Ai tha se PDK do t’i fitojë shumicën e komunave të Kosovës.

Lajme

04/10/2013 14:29

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën e saj zgjedhore në Suharekë. Kryetar i PDK’së, Hashim Thaçi, deklaroi para përkrahësve të tij në Suharekë se Ramë Vataj, me ndihmën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajt, do të dal fitues në zgjedhje te 3 nëntorit.

“PDK’ja do t’i fitojë shumicën e komunave të Kosovës, pa përjashtuar këtu edhe Therandën”.

“Atë që e prezanton Ramë Vataj dhe ekipi e tij së bashku më ministrin Hoxhaj për qytetin e Suharekës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, çdo projekt qoftë në infrastrukturë, në ndërtimin e shkollave të reja, ambulancave, kanalizimeve ujësjellësit, hapësirave të gjelbërimit, apo projektet e tjera të nevojshme për qytetin dhe çdo fshat, janë të menduara dhe studiuara mirë”.

Kandidati për Kryetar të Therandës, Ramë Vataj,  pohoi se PDK është e vendosur fuqishëm për t’i fituar zgjedhjet në Therandë.

“PDK’ja ka çka t’u ofrojmë qytetarëve të Therandës”.

“Ne sot u themi të gjithë atyre skeptikëve se Partia Demokratike e Kosovës, sikurse në projekte të tjera gjerë më sot, edhe në Therandë, do t’ia dal mbanë, për ta qeverisur komunën në mandatin e ardhshëm”.

“Krejt çka premton Partia Demokratike e Kosovës është: kthimi i qeverisjes në duart e qytetarëve, sepse, për kaq vite, qytetarët e Therandës u privuan nga e drejta për të marrë pjesë në ideimin,  projektimin dhe ndërtimin e hapësirës, pasurisë dhe të mirës së përbashkët që ofron komuna”.

Sipas tij, Theranda e ka mbështetjen e fuqishme të PDK’së, për t’u bërë pjesë e projekteve evropiane të zhvillimit, dhe i ofron asaj një qeverisje me politikat më liberale të Evropës së Shekullit 21.

“Ne u themi sot të gjithë qytetarëve të Therandës që të vazhdojnë të besojnë në Partinë Demokratike të Kosovë, sepse ajo është Shtëpi e Madhe që po rritet e po fuqizohet për çdo ditë, me njerëz të rinj, me njerëz që sjellin ide dhe vlera të reja për të mirën e vendin tonë të shtrenjtë”.

“Partisë Demokratike të Kosovës për ditë e më shumë po i shtohen radhët me gjak të ri, sepse ajo është parti e shanseve të mëdha për të rinjtë”.