Kthimi i fondit të privatizimit, pak gjasa të ndodhë

Opozita politike e ekspertë të ekonomisë nuk kanë parë vlerësim se deklarimet e Qeverisë për kthimin e fondit të privatizimit do të ndodhej në të vërtetë. Ata kanë thënë se gjithë ky plan ka në prapavijë përfitimin e votave.

Lajme

03/04/2014 18:55

Ideja e Qeverisë që t’i sjellë në Kosovë milionat e fondit të privatizimit më shumë po vlerësohet si fushatë për përfitim të votave, transmeton Kohavision.

Partitë politike nga opozita kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë iniciativë.

Sipas tyre, një vendim i tillë, ka pak gjasa të ndodhë.

Muhamet Mustafa i LDK-së thotë se do ta përkrahte kthimin e këtij fondi, po që se ai nuk do të përdorej për përfitim të votave.

“Tash po tentohet që në prag të zgjedhjeve të tregohet një interesim por gjithçka është e improvizuar, e pa përgatitur mirë, dhe varianti më i keq është që këto mjete të përdoren për qëllime të klientelizmit politik”.

Partia tjetër, AAK nuk po pret që Qeveria e tanishme do të mund të realizojë këtë synim duke u lidhur me zgjedhjet që, sipas tyre, shumë shpejtë do të mbahen.

“Ne si AAK shpresojmë se do të shkojmë shumë shpejtë në zgjedhje, dhe për tërheqjen e këtyre mjeteve na nevojitet një gjakftohtësi politike që të tërhiqet e jo të jetë formë e fushatës dhe përkrahjes së fushatës”.

Në anën tjetër, Alban Hashani nga Instituti Riinvest vlerësoi se për thyerjen e këtyre mjeteve, Qeveria duhet të jep shumë garanci para se të jepej drita e gjelbër për kthimin e tyre, transmeton KTV.