Kthimi i fondeve të trustit, kur të piqen kushtet (video)

Drejtori i Trustit Pensional, Ymer Havolli ka thënë sot se kthimi i fondeve pensionale po bëhet në bazë të ligjit të aprovuar në Kuvend.

Lajme

16/07/2014 15:01

Gjatë konferencës për media, teksa po prezantohej raporti i gjashtëmujorit të parë të aktiviteteve të Fondit të Kursimeve Pesionale të Kosovës (FKPK), Havolli ka thënë se kthimi i fondit të trustit në Kosovë do të bëhet në momentin kur të krijohen kushtet e tregut, në mënyrë që ato të mund të investohen.

“Fondi i kursimeve pensionale në rend të parë e ka interesin e kontribut dhënësve, fitimin dhe shtimin e vlerës për moshën e tyre”.

“Për kthimin e fondeve jam deklaruar njëherë dhe po ju them se ne jemi duke e zbatuar mandatin e Kuvendit të Kosovës në bazë të ligjit mbi Pensionet e Kosovës dhe çdo hapësirë që e lejon ligji i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës që ne jemi të mbikëqyrur nga ai , bordi drejtues i Fondit të kursimeve pensionale do ta merr në shqyrtim. Normalisht duke e parë interesin e kontribut dhënësve”.

“Çështja e investimeve në Kosovë dhe e kthimit të tyre në Kosovë është çështje të cilën e merr Fondi i Kursimeve Pensionale i mbështetur në ligj për arsye se është i obliguar që çdo investim që e bën të jetë i tregtueshëm dhe në momentin kur krijohen kushtet që në Kosovë tregu të jetë i tregueshëm dhe në kohën kur fondeve të kursimeve pensionale i nevojiten këto mjete që të tërhiqen që të investohen atëherë ne do të jemi të gatshëm por po e potencoj këto mjete të kontribut dhënësve dhe duhet pasur parasysh që janë kursime”, ka thënë Havolli.

Ndërkaq, në raportin e FKPK-së për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Havolli ka thënë se ka pasur një rezultat të kënaqshëm të kthimit të investimeve në tregjet financiare globale.

“Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës e përfundoi gjysmën e parë të vitit 2014 me një rezultat tejet të kënaqshëm të kthimit nga investimet në tregjet financiare globale. Vetëm nga investimet e mjeteve u bë e mundur që vlera e kursimeve pensionale të kontribut dhënësve kosovarë të rritet bruto për 32 milionë euro”.

“Përveç investimeve në tregjet financiare globale në fund të këtij 6 mujori FKPK i kishte të investuar në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 64 milionë euro”.

“Përveç performancës së investimeve FKPK vazhdoi të ketë prurje shumë të kënaqshme të kontributeve pensionale që grumbullohen nga të punësuarit në vend dhe vlera e mjeteve të akumuluara  shkoi në 62 milionë euro. Së bashku me kontributet e akumuluara plus  kthimit nga investimet bënë që mjetet nën menaxhim të rriten për 83 milionë euro dhe të arrijnë në 996 milionë euro në fund të vitit 2013”, ka thënë Havolli.