Kthim në realitet: Tre vjet pas – Lajmi.net
Kthim në realitet: Tre vjet pas
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinion 9:18, 1 June 2017
 Është për të ardhur mirë që politikanët e Kosovës sërish i janë kthyer realitetit, të cilin e jetojnë qytetarët e këtij vendi. Në tri vitet e kaluara nuk ishte kështu.

Është një shpërputhje e madhe, në këtë politikën kosovare, kur bëhet fjalë për qasjen mbizotëruese tek të gjitha entitetet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Dallimi i madh sipërfaqëson veçoritë kryesore të kësaj politike tani, vetëm pak ditë para të dieles përcaktuese të 11 qershorit, në krahasim me tiparet kryesore të saj gjatë mandatit të Qeverisë dhe Kuvendit të kaluar.

Gati tre vjet të plota, qytetari i rëndomtë i Kosovës, ai votuesi vullneti i të të cilit është përcaktues në zgjedhje, ka qenë i ‘bombarduar’ polikisht dhe mediatikisht nga të gjitha anët me vetëm dy tema, me vetëm dy fjalë: Asociacioni dhe Demarkacioni.

Tri herë në dite, ‘para dhe pas bukës’, kosovarët kanë marrë këtë ‘ilaç’ prej politikës kosovare.

Nëse bëhet një hulutim masiv që do të përfshinte dhjetëra mijëra qytetarë anëkënd Kosovës, me të vetmen pyetje  (për shembull), cilat janë tri fjalët që ju kanë mbetë në kujtesë nga politikanët shqiptarë të Kosovës në tri vitet e kaluara, s’do mend që ata, pos Asociacionit dhe Demarkacionit, do ta përfshinin edhe atë të Korrupsionit, jo që është bërë farë mrekullie në trajtimin e kësaj dukurie, por sepse kjo fjalë ka siguruar një qarkullim poashtu të përditshëm ndër ne, falë insistimit të politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë.

Kaq ishte politika kosovare në tri vitet e fundit. Tri fjalë dhe një mal problemesh. Të cilat janë trashëgimia me të cilën domosdoshmërisht do të mirret Kuvendi dhe Qeveria që do të formohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Megjithatë, për çudi, së paku në këto ditët e para të fushatës formale (dhe asaj joformale që nisi po atë ditë kur edhe u shpallën zgjedhjet e reja nga Presidenti Thaçi), supremacinë absolute në paraqitjet e të gjithë politikanëve relevantë të vendit, kanë marrë disa fjalë të tjera. Ato janë: zhvillim ekonomik, punësim, rroga/ pensione më të larta. Nuk harrohet këtu as tema e shenjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, por në një kontekst fare pozitiv, i cili spikatë një periudhë të shkurtër kohore, që matet me 3-6 muaj  (varet se kush prej politikanëve flet për këtë temë), pas të së cilës qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Sidoqoftë, vet fakti që aq shumë tani, sa i përket ofertës së entiteteve politike për qytetarin kosovar, thuaja çdo gjë përqëndrohet në temat jetike për mirëqenien e kosovarëve mesatarë, flet se sa ia kemi huqur, si politikë, në tri vitet e kaluara, kur thuaja gjithçka i është subordinuar atyre fjalëve ‘namëmëdha’ që kishin okupuar politikën dhe vëmendjen e të gjithë neve.

Thuaja të gjithë politikanët kosovarë tani, për shembull, po çuditen se në çfarë niveli është shëndetësia kosovare. Se çfarë problemesh ka në arsimin kosovar. Se si mund të mbijetojnë pensionistët me atë mujoren që më shumë është lëmoshë. Se me këtë shkallën e papunësisë, nuk mund të sigurojmë stabilitet afatgjatë. Se pa një zhvillim ekonomik qind për qind më të lartë nga ai i viteve të fundit  (pra, ky zhvillim duhet të jetë së paku 7% për çdo vjet), nuk mund të shohim as në ëndërr një ndryshim rrënjësor të gjendjes në shoqërinë kosovare. Etj.etj.

Ta merr mendja që për këto tri javë që prej se morëm vesh që do të kemi zgjedhje të reja parlamentare në vend, është folë më shumë për të gjitha këto tema tepër të rëndësishme për shëndetin politik, ekonomik dhe social të Kosovës, se sa në tri vitet e kaluara. Të mos flasim për proporcionin midis kohës së dedikuar për të gjitha këto çështje dhe kohës që u harxhua për Asociacionin dhe Demarkacionin.

Në fakt, na kujtohet që edhe në fushatën për zgjedhjet e vitit 2014, kishin po këtë diskurs politik të të gjithë atyre që ishin në garë për mandatet e Kuvendit të Kosovës. Pastaj, gjithçka ndryshoi dhe ne të gjithë humbën gati tre vjet të plota si politikë dhe si shoqëri.

Natyrisht, është për të ardhur mirë që politikanët e Kosovës sërish i janë kthyer realitetit, të cilin e jetojnë qytetarët e këtij vendi.

Zatën, ky është një rast i ri, mbase i fundit, kur ende mund të ri-vendoset një relacion i mirëfilltë në mes të politikës dhe qytetarëve, të cilët janë gjithnjë e më të dëshpëruar me politikën kosovare

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Rock Wheels
  • Play World Soccer Champion
  • Play Bike Rivals
  • Play 8 Ball Pool