Kthehen në Kosovë gruaja dhe vajza e kosovarit që u vra në Irak

Para pesë muajve në Irak u vra një kosovar nga Gjilani. Me vete kishte edhe gruan dhe vajzën. Tani ato janë kthyer në Kosovë. Nëna e djalit të vrarë, ka bërë thirrje që askush të mos shkojë në këto luftëra. 

Lajme

23/01/2015 22:31

Derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ligjin për ndalimin e kosovarëve që të luftojnë në vendet e huaja shumë prej tyre ende vazhdojnë të marrin rrugën drejt zonave të konflikteve në Lindje. 

Kjo rrugë e cila nga shumë cilësohet edhe si ferri mbi tokë vazhdon të shkaktoj viktima edhe ndër kosovarë. Megjithëkëtë luftimi për luftën e shenjtë mbetet edhe më tej i pranishëm. 

Pjesë e luftimeve në Irak dhe Siri deri pesë muaj më parë ishte edhe Sinan Muji, kosovari nga Bresalci i Gjilanit. Ai shkoi në luftën që e konsideronte të shenjtë dhe me vete mori gruan dhe vajzën e tyre të vetme. 

Por në muajin shtator të vitit të kaluar Sinani u vra, duke lënë në Irak gruan dhe vajzën. 

Ditë më parë gruaja dhe vajza e tij janë kthyer në Gjilan dhe janë vendosur në banesën e babait të bashkëshortes. 

RTK ka gjetur adresën e saj por ajo nuk deshi të rrëfente asgjë. 

Ndërkohë, Ismetja nëna e tij me lot në sy bën thirrje që askush të mos shkoj në këto luftëra. 

“Mos t’i lanë me shku atje në Siri se nuk ashtë, për neve nuk ashtë. Ishalla kerkan se len zoti me shku atje mas djalit tem”, tha ajo. 

Ndërsa Imami i xhamisë së fshatit Bresalc thotë se djemtë kosovarë që veprojnë si Sinani nuk dëgjojnë prijësit fetarë.