KRYPOMETËR: Rrena e Shpend Ahmetit për fillimin e mësimit

Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë nuk kanë mbajtur mësim në ndërrimin e paraditës, të hënën, siç ishte planifikuar. Klasët e 11 dhe të 12 të gjimnazit “Ahmeti Gashi” nuk e kanë nisur sot mësimin, ashtu qysh ishte paraparë. Krejt kjo për shkak të disa probleme me gypat e nxehjes.

Lajme

16/01/2017 18:15

Drejtori i gjimnazit, Ilmi Reqica, për KALLXO.com, thotë se për shkak të problemeve me gypa të ngrohjes, ndërrimi i parë nuk ka mbajtur mësim.

“Për shkak të defekteve që i kemi pas, klasët e 11 dhe 12 nuk kanë vijuar mësimin, ndërsa klasët e 10 do të vazhdojnë me mësimin e rregullt, prej 13:45 kur edhe fillon mësimi për ta”, tha ndër tjerash drejtori i shkollës Ahmeti Gashi, Ilmi Reqica.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka treguar për telashet që ka pasur gjimnazi në Prishtinë. Ai ka shkruar në profilin e tij se të gjitha shkollat janë gati për të filluar procesin mësimor. Në kohën kur ai e ka shkruar statusin e tij në Facebook, në gjimnazin Ahmet Gashi nuk ka qenë duke u zhvilluar procesi mësimor.

Shpend Ahmeti: Sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Prishtinës, dhe përkundër motit të ftohtë, shkollat janë gati. I urojmë të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve gjysmëvjetor të suksesshëm!

Vlerësimi: Në Komunën e Prishtinës nuk kanë qenë gati të gjitha shkollat për fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë. Ndërrimi i paradites, në Gjimnazin “Ahmet Gashi” nuk kanë mbajtur mësim, të hënën, siç ishte planifikuar. Deklarimi i kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, del të jetë rrenë.

“Mirëmëngjesi për të gjithë. Sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Prishtinës, dhe përkundër motit të ftohtë, shkollat janë gati. I urojmë të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve gjysmëvjetor të suksesshëm! Kemi mbi 45 mijë nxënës në 56 shkolla”, ka shkruar Ahmeti në facebook, të hënën në ora 9 e 45 minuta.

Se në gjimnazin “Ahmet Gashi” ka pasur telashe e ka konfirmuar për Kallxo.com drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci. Por, ajo ka thënë se mësimi ka filluar sepse janë zgjidhur problemet e paraqitura.

“Dje në mbrëmje më kanë treguar që në shkollën “Ahmet Gashi” ka pas një pëlcitje të gypave të ngrohjes, në disa klasë ka shpërthyer edhe uji, por është punuar deri vonë mbrëmë që të evitohen ato probleme dhe prej informatave të drejtorit sot ka filluar mësimi edhe në këtë shkollë si në shkollat tjera”, tha Nagavci për KALLXO.com.

Por, ajo thotë se mësimi ka nisur në të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës, duke përfshirë edhe gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Shkollat e Kosovës, e të  gjitha niveleve është dashtë të fillojnë procesin e mësimit gjatë ditës së sotme, pasi që ishte shtyrë për një javë për shkak të motit të ftohtë që ka qenë. Javën e kaluar ishte shtyrë mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës për shkak të motit të ftohtë.