Kryeziu: Kryeministër ja nise gabim

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu mendon se kryeministri Isa Mustafa e ka nisur gabim punën e tij të re.

Lajme

14/12/2014 16:12

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se paraqitjet publike të kryeministrit Mustafa, këto ditë të fundit kanë qenë të gabueshme.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e Ismet Kryeziut:

Isa Mustafa e ka nisur gabim, nga fjalimi i tij në Kuvend, nga nënkryetarët e tij të partisë dhe nga degët e partisë, së pari në raport me deputet e LDK-së, e gabimin po e vazhdon me të gjithë.

Fjala e Kryeministrit duhet të ketë peshë, ajo nuk duhet të jetë fjalë e individit, analistit, akademikut, mediumit e as e kryetarit të partisë, duhet të jetë fjalë e Kryeministrit.

Një koalicion shumë i kundërshtuar është zhvillim i mjaftueshëm dhe provokues për analistë, media e opinionist që të bëjnë, analiza, opinione e me dozë rrëshqitje dhe në fyerje, madje edhe personale, e në vijë të parë të kanë në shënjestër të parin e këtij koalicioni, Kryeministrin.

Por, kabineti i Kryeministrit dhe këshilltarët për komunikim nuk duhet që pas çdo deklarate, shkrimi e analize, të dalin me kundër deklarata, me kundër akuza me fyerje e etiketime, si dje për deputetët e LDK-së,për Qosjen e sot për reportazhin KUKU të Kohës Ditore.

Kjo nuk duhet të jetë as gjuha e as mënyra e komunikimit nga Kryeministri, përkundrazi i humb vlerën dhe e thyen idenë e të qenurit Kryeministër. Kryeministër është i zgjedhur nga shumica, por duhet të jetë dhe të sillet si Kryeministër i të gjithëve duke respektuar të drejtat e atyre që s’janë pajtuar me këtë koalicion, apo dhe s’janë pajtuar me vetë Isa Mustafën si Kryeministër.

Prandaj, është mirë që Isa Mustafa të mbajë një takim me zëdhënësit dhe këshilltarët e tij, të ndryshoi diskursin e gjuhës në fjalën e tyre publike dhe statuset e publikuar në profilin e Isa Mustafës në rrjetet sociale. Isa Mustafa duhet të përdor profilin e tij në rrjetin social Facebook për mesazhe politikbërëse e vendimmarrëse e jo për reagime në fjalën, deklarimin apo shkrimin e secilit medium, qytetar apo analist e publicist.