Kryeziu kërkon pikë ndaj Turqisë

Për shkak se fusha e stadiumit “Agron Rama” në Kastriot ishte shumë e fortë dhe e papërshtatshme për stërvitje, Kombëtarja A e Kosovës u detyrua që stërvitjen e radhës ta mbajë në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Sport

08/06/2017 23:29

Futbollistët e Kombëtares së Kosovës po punojnë me përkushtim të madh , ndërsa shtabi teknik po përpiqet që të përgatisë ekipin sa më mirë në seanca stërvitore meqë, nuk ka mundësi të zhvillohen ndeshjet miqësore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Mesfushori i Kosovës, Hekuran Kryeziu, pret rezultat pozitiv ndaj Turqisë, përkundër se e pranon që Turqia është kundërshtar i fortë.

“Na pret një ndeshje e fortë dhe një kundërshtar cilësor, por edhe ne presim një rezultat pozitiv sepse ka kohë që po presim të marrim edhe ne ndonjë pikë”, ka thënë Kryeziu.

Kosova dhe Turqia do të ndeshen më 11 qershor në “Loro Boriçi” të Shkodrës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Kosova deri tash ka zhvilluar pesë ndeshje, ku ka vetëm një barazim me Finlandën, ndërsa ka pësuar katër humbje.