Kryeveprat e Artit Italian të 1900-ës, nisin vitin 2017-të për Galerinë e Arteve në Tiranë

Nis sezonin e Galerisë së Arteve ekspozita me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë.

ShowBiz

09/01/2017 12:45

Janari dhe sezoni i ri në Galerinë e Arteve në Tiranë do të sjellë edhe të parën ekspozitë në Shqipëri të një koleksioni kryeveprash origjinale në pikturë. Ekspozita e parë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit është ajo me Kryeveprat e Artit Italian të 1900-ës. Pikturat e Novecentos, kryeveprat e artit italian të vitit 1900 do të ekspozohen edhe për publikun shqiptar. Ekspozita, nën kujdesin e Arianna Angelelli; Maria Catalano dhe Federica Pirani me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX, gjuhët që e kanë përcjellë, artistët dhe lëvizjet e referimit duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi. Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur. Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group.

Kalendari i Galerisë Kombëtare të Arteve

Galeria Kombëtare e Artit ka shpallur kalendarin e ekspozitave për vitin 2017. Ekspozita e parë që do çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit është ajo me kryeveprat e artit italian të 1900-ës, më 16 janar dhe do të mbyllet me ekspozitën e përvitshme të “Onufrit”, këtë vit në edicionin e 23-të. Ja kalendari i ekspozitave:
– “Kryeveprat e artit italian të viteve 1900”, që çelet më 16 janar deri më 2 prill.
– Ekspozitë vetjake e piktorit Zinni Veshi, 12 – 27 prill.
– Ekspozita fotografike “Face-behind the identity” e artistit Fate Velaj, kohëzgjatja e saj 2 – 23 maj.
-Vijon ekspozita “Veprat e kthyera në fondin e GKA”, që do të qëndrojë për publikun nga data 1 qershor deri më 22 korrik të këtij viti.
– Ekspozita vetjake “Njeriu i abuzuar” e artistit gjerman Gunther Uecker nga 28 korriku deri më datë 8 shtator.
– Ekspozita vetjake e artistit Xhevdet Xhafa, është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kohëzgjatja e ekspozitës 14 shtator – 14 tetor.
– Ekspozita vetjake e artistes gjermane Rosamarie Trockel, qëndron në GKA nga data 24 tetor deri më datë 8 dhjetor.
– Dhjetor është dhe konkursi ndërkombëtar i arteve pamore “Onufri”, kohëzgjatja e saj 20 dhjetor – 30 janar 2018.

Veç sallës kryesore, në ambiente të tjera të GKA do të jetë edhe këto ekspozita:

– “Natyralizmi shqiptar”, projekt nga Gëzim Qëndro
– Ekspozita fotografike “Gjenerata A” e artistit Julius Eb 26 prill – 15 maj. Veprimtari arti jashtë ambienteve të GKA është ekspozita vetjake e piktorit Zef Shoshi në Galerinë Kombëtare të Kosovës në maj 2017 si pjesë e kalendarit të përbashkët artistik./KultPlus.com