Kryetarja uron Kryetaren

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka uruar Mimoza Kusari-Lilën për fitoren e saj në garën elektorale për Gjakovën. Arifi thotë se Mimoza me zgjedhjen e saj ka bërë histori në Kosovë.

Lajme

05/12/2013 15:02

Ka ardhur urimi i parë zyrtar për zgjedhjen e Mimoza Kusari-Lilës për Kryetare të Gjakovës. Dhe ky urim për Kryetaren e parë femër në Kosovë, vjen pikërisht nga  një homologe e saj. Bëhet fjalë për Kryetaren  e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kusari-Lila nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook e ka quajtur ogur mirë këtë urim për rrugëtimin e saj në krye të Komunës së Gjakovës.

Në letrën e urimit Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka uruar Kusari-Lilën për zgjedhjen e saj- duke i thënë se duke qenë femra e parë që është zgjedhur në krye të një Komune, ajo tashmë e ka bërë historinë.

Arifi beson fuqishëm se me Mimozën në krye, Gjakovës do t’i kthehet shkëlqimi dhe identiteti.

“Me kënaqësinë më të madhe ju shpreh urimet më të sinqerta dhe të ngrohta në emrin tim personal dhe poashtu edhe në emër të qytetarëve të Tetovës, për fitoren e korrur në zgjedhjet lokale të 2013”.

“Poashtu, më lejoni që t’ju përgëzoj edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, gjatë të cilit qytetarët e Gjakovës në mënyrë demokratike dhe të qytetëruar bënë që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe fuqishëm”.

“Si femra e parë kosovare në krye të një Komune tejet të rëndësishme të Republikës së Kosovës, ju padyshim bëtë historinë në vendit tuaj”.

“Të qenit në krye të kësaj detyre është padyshim një obligim dhe përgjegjësi jo e lehtë, megjithatë unë besoj fuqishëm në kapacitetet e vlerat e juaja, vendosshmërinë e patundur dhe vullnetin e palodhur për t’ju përgjigjur besimit të dëshmuar të qytetarëve të Gjakovës në punë dhe vepra që do ja kthejnë dinjitetin dhe shkëlqimin e merituar qytetit tuaj”.

“Duke ju uruar punë të mbarë në detyrën e re, mirëqenie e shëndet të mirë, ju ofroj mbështetjen dhe bashkëpunimin e pakursyer në ndërtimin e së ardhmes së ndritur të qytetit tuaj”- shkruan në letrën e dërguar nga Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kusari ka falënderuar Arifin, duke i premtuar se Tetova dhe Gjakova do të bëhen dy komuna motra.

“Ogur i mirë për këtë rrugëtim të suksesshëm së bashku, është letra e parë zyrtare në adresë të Komunës së Gjakovës e cila arriti para meje në Komunë, nga kolegia ime nga Tetova, znj. Teuta Arifi”.

“E dashura Teuta, me kënaqësi e mirëpres bashkëpunimin tonë të ardhëshëm si dy komuna motra, Gjakova dhe Tetova”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.