Kryetari Veseli takon senatorin McCain: SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Uashington, ka takuar senatorin amerikan John McCain, të cilin e falënderoi për mbështetjen personale gjatë të gjitha fazave të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Lajme

15/04/2016 11:04

Kryetari Veseli e informoi senatorin për zhvillimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, duke vënë në dukje ecurinë procesit shtetndërtues dhe synimet euro-atlantike.

Ai me këtë rast kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën dhe ruajtjen e fokusit për Kosovën në agjendat e Senatit amerikan.

Kryetari Veseli përshëndeti posaçërisht marrëdhëniet e Gardës Nacionale të Arizonës me vendin tonë.

“Senatori McCain e përgëzoi kryetarin për punën e bërë deri tash dhe inkurajoi që të vazhdojë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Senatori e siguroi Veselin që SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën, si investim i përbashkët në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Ai tha që “ne bashkërisht duhet të gjejmë mënyra se si të kemi sukses, e jo të gjejmë arsye për të dështuar”.

Kryetari Veseli e siguroi senatorin McCain se Kosova do të vazhdojë punën e nisur bashkë në ndërtimin e stories së suksesit të përbashkët.