Kryetari i Ulqinit fton kosovarët të investojnë në këtë rivierë

Kosovarët mbesin turistët e preferuar për Ulqinin, madje edhe këtë vit pjesa më e madhe e turistëve në këtë rivierë janë kosovarë. Kryetari i Ulqinit, Fatmir Gjeka, fton kosovarët për investime, duke u ofruar lehtësira.  

Lajme

29/06/2014 18:45

Kryetari Gjeka, thotë se në pesë vitet e fundit investimet në Ulqin janë të mëdha dhe se kanë arritur ta kthejnë energjinë e ndërtimit të hoteleve, ku me ndërtimin e tyre do të fillojë edhe punësimi i të rinjve të asaj ane.

Madje ai ka ftuar sipërmarrësit kosovar të investojnë në Ulqin duke thënë se kanë krijuar lehtësira për investime.

Sipas tij, kështu po fillon një përmirësim e jetës ekonomike e sociale atje.

“Se çka kemi bërë ne në infrastrukturë, tashti edhe një risi po u a them këtu që rruga prej pikës kufitare deri në Ulqin është e kryer, ju jeni dëshmitarë të kësaj, kurse pjesa e mbetur fillon në vjeshtë dhe para disa ditëve është pru vendimi në qeverinë e Malit të Zi, diku një investim rreth 9 milion e gjysmë euro, nga fondet evropiane dhe punimet do të fillojmë pas sezonit turistik, kështu që ndoshta edhe në Ulqin ka shumë dekada që qeveria nuk ka investuar si këto 5 vitet e fundit”, thotë ai.

Ai thotë se edhe çështja e ujit po rregullohet, dhe se kanë kapacitet të plot për ujë të pijshëm për rreth 200 mijë vizitorë.

E edhe interesimi për bashkëpunim me Kosovën, e investime të kosovarëve atje, mbetet e mirëpritur në Komunë e Ulqinit.

Tha se kanë hequr taksat për hotelet katër dhe pesë yje.

Gjeka tha se pjesa më e madhe e mysafirëve gjatë sezonit veror në Ulqin, vazhdojnë të jenë kosovarët.

“Ne kemi marrë pjesë në panaire, në të gjitha panairet do të thotë duke filluar nëpër Evropë edhe nëpër regjion këtu, kështu që ai që ishte dhe mbetet panairi jonë më kryesor është panairi në Kosovë, ku kemi qenë prezent do të thotë drejtori i Organizatës Turistike, Zana, unë Kryetari i Komunës dhe afaristët kryesor të cilët merren me turizëm, plazhistët, hotelierët etj”.

“Pastaj kemi pasur edhe një turne mediatike nëpër Kosovë, kështu që kemi qenë aktiv dhe të mirëpritur njëkohësisht në Kosovë ku kemi marrë një siguri dhe garancion duke e ditur se edhe Ulqini i ka sytë drejtuar nga Kosova, pikërisht nga atë se pjesa më e madhe e mysafirëve këtu në Ulqin gjatë sezonit veror janë nga Kosova dhe për atë edhe jep përparësi pikërisht panaireve dhe të gjitha atyre propagandave turistike, duke e prezantuar ofertën turistike në Kosovë”.

E për pushuesit atje, Gjeka thotë se çmimet nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar, ndërkohë mendon se ofrojnë çmime të arsyeshme e edhe hapësirë për të gjitha kategoritë ekonomike të njerëzve.

Komuna e Ulqinit është e gatshme të bashkëpunojë me Kosovën , Gjeka madje tha se në vizitën që i ka bërë Komunës së Prishtinës, kanë shkëmbyer edhe ide me kryetarin Ahmeti.

“Kemi shkëmbyer disa ide, do të vazhdojmë ndoshta vizita do të jetë kthyese e kryetarit të Prishtinës, këtu në Ulqin dhe kjo besoj që do të jetë gjatë sezonit veror, shpresojmë. Dhe disa ide e disa shkëmbime që ne ndoshta mund të marrim, të përfitojmë nga Prishtina, dhe për disa mund të them informacione, ose gjëra konkrete që ndodhin atje në Prishtinë, t’i kemi edhe nis si ide që t’i implementojnë këtu në Ulqin”.

E për pastërtinë, ai tha se janë bërë përmirësime shumë të mëdha në këtë drejtim, ku vitin e kaluar është punuar shumë në këtë drejtim. Ai tha se janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha, vetëm që pastërtia të dominojë në atë pjesë.

Kështu, në Ulqin pushuesit kanë filluar të zënë vend qysh në muajin maj, e numri më i madh i vizitorëve pritet të jetë në muajt korrik-gusht.