Kryetari i KQZ-së: Numërimi të kryhet në afat

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri ndërkohë që kanë mbetur pak më shumë se 1 mijë kuti në rang vendi, ka apeluar të gjitha partitë politike, që të inkurajojnë numëruesit të mbyllin brenda afatit ligjor procesin e numërimit të votave.

Lajme

26/06/2017 20:13

“Këto zgjedhje kanë treguar se në Shqipëri mund të votohet e numërohet me profesionalizëm e shpejtësi të plotë.

Numëruesit kanë shanset të mbyllin një proces brenda afateve të përcaktuara nga ligji. Subjektet zgjedhore duhet të inkurajojnë numëruesit të votojnë, pasi mbyllja e këtij procesi i shërben edhe vetë subjekteve politike”,- tha Zguri.

Zguri tha ndër të tjera se administrimi i këtyre zgjedhjeve ka shënuar një standard të ri.

“Procesi i numërimi ka vijuar normalisht por për shkak të lodhjes së shfaqur apo ndonjë incidenti, KQZ ka treguar gatishmëri për të ofruar zgjidhje dhe për të garantuar numërimin e votave. Administrimi i zgjedhjeve ka shënuar një standard të ri pozitiv, siç u pa edhe në raportorin paraprak të OSBE/ODIHR”,- shtoi ai.