Kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime, nga radhët e VMRO-DPMNE-së

Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend do të jetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Në takimin koordinues mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare poashtu është vendosur që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të jetë të hënën me një pikë në rendin e ditës ku do të votohet përbërja e këtij komisioni.

Lajme

23/03/2017 15:29

“Edhe pse ekzistonin kërkesa të palogjikshme nga VMRO-DPMNE-ja, ne pranuam që kryetari i Komisionit të jetë nga VMRO-DPMNE-ja me qëllimin e vetëm që të zhbllokohen proceset në Maqedoni, të funksionojnë tendencat demokratike dhe të mos pësojnë qytetarët dhe institucioni ligjvënës nga cilido politikan ose parti politike” deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se për dallim prej herëve të tjera, kryetari i Kuvendit nuk do të zgjidhet gjatë vazhdimit të seancës së Kuvendit të hënën, për shkak të shkeljes së të gjithë praktikave të deritanishme nga ana e LSDM-së.

“Pozita e kryetarit të Komisionit që mori VMRO-DPMNE-ja dhe gjashtë anëtarët, nuk janë gjest i mirë nga ana e LSDM-së por janë rregulla dhe praktika që në Kuvend funksionojnë 25 vite. Pika e vetme për të cilën ditën e hënë  Kuvendi do të diskutojë dhe vendos është zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime” tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Emri i Ilija Dimovskit përflitet si kryetar i mundshëm i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime por nuk dihet cilët do të jenë anëtarët e tjerë të kësaj partie. Emrat e anëtarëve të saj nuk i ka bërë publike as LSDM-ja. Nga BDI-ja përflitet emri i Xhevat Ademit kurse nga BESA kanë konfirmuar se për anëtar kanë propozuar deputetin Zeqirija Ibrahimi. Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime është organ përmes të cilit kalon përzgjedhja e të gjithë funksionarëve që i zgjedh Kuvendi, përfshirë edhe përzgjedhja e kreut të këtij institucioni. /AlsatM/