Kryetari i Gjykatës së Prizrenit mohon ta ketë kërcënuar avokatin

Kryetar i Gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxha, mohon ta ketë kërcënuar avokatin Gent Gjini.

Lajme

16/05/2018 18:26

Ky i fundit, përmes një njoftimi dërguar mediave ka thënë se është kërcënuar nga i pari i Gjykatës së Prizrenit.

Sipas avokatit, rasti ka ndodhur më 10 prill në zyrën e kryetarit të Gjykatës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Ymer Hoxha hedh poshtë pretendimet e avokatit.

Ai thotë se biseda me avokatin ka qenë miqësore.

“Jam habitur se me çfarë deklaratash ka dalë (Gjini) dhe i ka shkruar të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës edhe ambasadave duke i thënë se gjyqtari Hoxha më ka preferuar që ta lëshoj Prizrenin, më ka thënë se për një ditë do të bëhesh miliarder, gjëra që nuk ekzistojnë”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Kryetari i Gjykatës së Prizrenit tha se nuk do të ndalet në ndjekjen e këtij rasti.

“Nuk e kam ndërmend të ndalem deri sa të dalë në shesh e vërteta. E gjithashtu do të bëj edhe padi për shpifje dhe për rrënim të autoritetit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, avokati Gent Gjini ka thënë se ai është kërcënuar me fjalë të rënda.

“Ndër të tjera ky kryetar më ka thënë se është herët të bësh miliona… kadale pak, duke aluduar në prezencën time kur jam prononcuar në mediumin KTV dhe fjalë tjera si: zgjidhni klientët për lëndët, nëse jo, atëherë lëreni këtë punë se s’jeni të aftë”, ka thënë në deklaratën e tij avokati Gjini.

Sipas tij, fjalët më të rënda dhe më të papranueshme ishin: “Nëse vazhdoni kështu qysh ja keni nisë lëshojeni Prizrenin më mirë…”.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati Gent Gjini thotë se në këtë rast e ka pasur dëshmitar vëllain e tij, Blendin.

Ndërsa kryetari i Gjykatës thotë se në zyrën e tij ka qenë një koleg i tij, gjyqtari Artan Serjani.

Përderisa deklaratat e avokatit dhe kryetarit të Gjykatës kanë qenë kaq të ndryshme, e vetmja e përbashkët e deklaratave të dy palëve ka qenë se kanë folur rreth ekstradimit të një klienti të Gjinit për të cilin avokati ishte deklaruar në KTV.

“Kjo e gjitha ishte e ndërlidhur ekskluzivisht me daljen time në mediumin “KTV”, për çështjen e ekstradimit, kinse për pohimet jo të vërteta të mia (që sipas tij kanë qenë) ndryshe nga ajo që ishte zhvilluar gjatë gjykimit të lëndës”, ka shkruar avokati në deklaratën e tij.

Ndërsa, gjyqtari Hoxha ritheksoi se biseda ka qenë vetëm në lidhje me rastin.

“Ai një herë e ka dezinformuar krejt opinionin në lidhje me një person (klient të tijin) me nënshtetësi gjermane…”, u shpreh ai.

Ndërsa, sipas tij, biseda e tij me avokatin ka përfunduar me një falënderim.

“Më tha: Faleminderit se nuk e di lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, u shpreh kryetari i Gjykatës.

Ndërkaq, kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, ka bërë të ditur për KALLXO.com se Prokuroria është “në fazën e mbledhjes së informacioneve” në lidhje me rastin.