Kryetari i Ballit Kombëtar: Vendi duhet të pastrohet nga mbeturinat e diktaturës komuniste!

Kryetari i Ballit Kombëtar, Gazmend Islami menjëhërë pas plagosjes së avokatit dhe analistit Azem Vllasi ka komentuar rastin duke thënë se vendi ka nevojë për shtet ligjor dhe për pastrim nga mbeturinat e diktaturës komuniste që vranë dhe burgosën pa reshtur shqiptarët, por këtë duhet ta bëjë prokuroria dhe gjyqësia e pavarur.

Lajme

14/03/2017 10:26

“Qindra nëna shqiptare kanë vajtur fëmijët e tyre që dergjeshin burgjeve! Qindra gra të reja mbetën pa burra! Qindra fëmijë u rritën pa prindër! Qindra të tjerë u vranë, qindra vdiqën prej torturave, prej një pushteti kriminal! E qe Azem Vllasi ishte pjesë e këtij aparati shtypës. Por kur shteti flenë dhe nuk trajton këto tema dhe nuk hap dosjet, nuk duhet të bjerë në befasi kjo që ndodhi. Azemi do të shërohet, por kurrë nuk do të doja ta shihja që trajton tema që lidhen për të mirën e vendit, përderisa figura e tij nuk është pastruar për kohen sa ishte ne pushtetin jugosllav”, ka shkruar Islami në profilin e tij në facebook.

Ai ka thënë se vendi ka nevojë për shtet ligjor dhe për pastrim nga mbeturinat e diktaturës komuniste që vranë dhe burgosën pa reshtur shqiptarët, por këtë duhet ta bëjë prokuroria dhe gjyqësia e pavarur. Atentatet e tilla na kthejnë në shekullin e XX dhe nuk na dallojnë nga ata që kishin kryer krimet. Në fund Islami ka kërkuar që shteti i hap dosjet.