Kryetari Ahmeti thërret kosovarët të mos e lëshojnë vendin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të mos e lëshojnë vendin, sepse sipas tij, vendet evropiane nuk japin azil, dhe në këtë formë të gjithë ata që mësyjnë Evropën do të kthehen në vend, me më pak prona, dhe me borxhe.  

Lajme

13/12/2014 19:46

Ahmeti fluksin e madh të ikjeve nga Kosova, thotë të ketë vërejtur edhe nga kërkesat e mëdha që ditëve të fundit paraqiten për dokumente të ofirçarisë.

“Këto ditë në komunën e Prishtinës janë shtuar tepër shumë kërkesat për dokumente të ofiçarisë. Duke parë fluksin e madh kemi kërkuar më shumë informata nga qytetarët. Pjesa më e madhe janë qytetarë që po kërkojnë rrugën drejt Evropës. Dje, ditë e premte ka patur më shumë kërkesa të tilla se sa aplikacione të rregullta që i kemi çdo javë”.

Kryetari Ahmeti, në reagimin e tij, ka thënë se me këtë nuk po dëshiron t’i përzihet askujt në planet e tij, por dëshiron t’i njoftojë ata se kërkesa për azil po i refuzohet gati gjithsecilit kosovar, transmeton lajmi.net.

“Sigurisht se secili prej neve i din hallet e veta më së miri, dhe secili e ka për qëllim një jetë më të mirë, prandaj askush nuk mund të këshillojë nga një pozitë tjetër. Megjithatë numrat e refuzimit të azilkërkuesve janë në përqindja gati se absolute”.

I pari i kryeqytetit ka ftuar qytetarët që të qëndrojnë në Kosovë, dhe këtu të japin kontributin e tyre për siç ka thënë ai, ta shpëtuar vendin nga keqbërsit dhe të korruptuarit.

Kosovën duhet ta shpëtojmë nga keqbërësit e të korruptuarit sa më parë, sepse po e lejuam kështu, do të kemi edhe më shumë qytetarë të kthyer nga burgjet e urat e Evropës por tash më pa shtëpi e me borxhe.”