Kryesuese, më fal

Adnan Rrustemi i kërkon falje Valdete Dakës dhe e pranon se e ka “rënduar” me fjalë. Por, thotë se KQZ e ka shkelur ligjin.

Lajme

25/09/2013 12:28

Anëtari i KQZ’së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i ka kërkuar falje kryesueses së KQZ’së Valdete Daka për kërcënimin e djeshëm gjatë mbledhjes së këtij institucioni.

Në një deklaratë të shkruar, Rrustemi është shprehur se reagimi i tij ka ardhur si pasojë e parregullsive, shkeljeve të vendimeve që, sipas tij, po bëhen nga KQZ.

“Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, në debat e sipër, si pasojë e insistimit tim të drejtë dhe të bazuar që të marrë sqarime dhe insistimit të znj. Daka që të më pamundësojë parashtrimin e pyetjeve, debati dhe polemikat tejkaluan nivelin profesional dhe etik. Në një moment, duke lëshuar mbledhjen në shenjë kundërshtimi, e kam rënduar kryesuesen, z.Daka, me fjalët “Vetëm je femër se…”. Ky ka qenë një reagim i momentit i imi, për të cilin më vjen keq dhe i kërkoj falje si z.Daka poashtu edhe opinionit”.

“Kryesuesja e KQZ-s dhe disa anëtarë, të vetëdijshëm që KQZ-ja tashmë ka shkelur të gjitha këto afate, rregulla dhe vendime, refuzuan që të përfshihen si pikë e rendit të ditës. Për më tepër kryesuesja më mohoi të drejtën që si anëtarë i KQZ-së të parashtrojë pyetje për Sekretariatin që të informohem për këto çështje”.

Por Rrustemi pretendon se KQZ është duke e shkelur ligjin kur është fjala te publikimi i listës së votuesve, e cila duhet të jetë tani objekt i “sfidimit dhe kundërshtimit” dhe se organizimi i zgjedhjeve tashmë ka tejkaluar bazën ligjore.

“Ditët e fundit  KQZ-ja ka vazhduar shkeljen e ligjit mbi zgjedhjet, me mos publikimin e listës së votuesve për sfidim dhe kundërshtim, ka shkelur vendimin për refuzimin e kërkesës së OSBE-s për sjelljen e aplikacioneve nga Serbia, vendimin për përcaktimin e afatit të pranimit të aplikacioneve edhe pas shtyrjes së dyfishtë, si dhe vendimin për fillimin dhe përfundimin e periudhës së sfidimit të listës së votuesve që është dashur të fillojë me 17 shtator dhe të përfundojë me 24 shtator, e cila nuk është realizuar fare”.