Kryesia e LDK-së bën homazhe në 20 vjetorin e masakrës së Reçakut

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka bërë homazhe në Reçak me rastin e 20 vjetorit të masakrës.

Lajme

15/01/2019 12:44

Anëtarët e Kryesisë së LDK-së dhe të degës së kësaj partie në Shtime kanë bërë homazhe në Reçak me rastin e 20 vjetorit të masakrës, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media LDK ka bërë të ditur se masakra e Reçakut, në historinë e Kosovës është sakrifica e dëshmorëve për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Kjo masakër tmerroi botën, ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-s”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i LDK-së pa ndërhyrje:

Anëtarë të kryesisë së LDK-së bashkë me strukturat e degës së LDK-së në Shtime, sot në 20 vjetorin e Masakrës së Reçakut, kanë bërë homazhe në Reçak për t’i përkujtuar të rënët të cilët më 15 janar të vitit 1990 u masakruan, por njëkohësisht kthyen shikimin e gjithë botës drejt Kosovës për dhunën që po ushtrohej ndaj qytetarëve.

Të pranishëm nga kryesia e LDK-së, ishin z. Lutfi Zharku dhe z. Muharrem Svarqa bashkë me kryetarin e degës së LDK-së në Shtime z. Selim Shabani.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Kjo masakër tmerroi botën, ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-s.

Masakra e Reçakut, në historinë e Kosovës është sakrifica e dëshmorëve për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!. /Lajmi.net/