Kryesia e Kuvendit merr vendim, seanca e shpërndarjes sot në ora 12:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, para pak çastesh ka vendosur që ta fus në rend dite shpërndarjen e Kuvendit. Mbledhja do të fillojë sot në ora 12:00. 

Lajme

07/05/2014 12:45

Gatishmërinë për të votuar pro shpërndarjes së kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e kanë shprehur shefat e Grupeve Parlamentare të tri partive të mëdha, PDK, LDK dhe AAK. 

I gatshëm për të votuar pro shpërndarjes së Kuvendit është shprehur edhe kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi. 

“Pasi të gjitha grupet politike në Kuvend janë dakord dhe askush sot nuk e kundërshtoj sigurisht që edhe unë do të jem për”.

 “Kjo është pasojë e mosfunksionimit të koalicionit ndoshta edhe mosfunksionimit të Qeverisë por Grupet Parlamentare janë marrë vesh kështu dhe kanë të drejt të merren vesh edhe për këtë formë të shpërndarjes së Kuvendit”.

Shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Ismet Beqiri, ka jep aprovimin paraprak për rrëzimin e kësaj qeverie.

“Ne mendojmë se po realizohet një kërkesë e vazhdueshme e LDK-së që të shkojmë në zgjedhje më herët dhe se kjo qeveri nuk ka merituar dhe nuk meriton që të vazhdojë me keqqeverisë vendin. Ajo që e kemi thënë për një kohë të gjatë unë besojë se qytetarët e Kosovës duhet t’i gëzohen këtij fakti sepse është mënyra më e mirë për ta ndëshkuar këtë Qeveri janë zgjedhjet”.

Ndërsa, Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se partia e tyre, edhe pse ka qenë më shumë pro variantit të shkarkimit të qeverisë, nuk do të bëj lojë fëmijësh duke bllokuar procesin, por do të votojë pro shpërndarjes së kuvendit. 

“Me siguri se nuk do të sillemi në mënyrë fëmijërore, që meqenëse mocioni i ynë për shkarkim të qeverisë nuk është mbështetë, ne mos ta mbështesim këtë mocion sot”.

“ Do të kishte qenë një mesazh jashtëzakonshmit i mirë për Kosovën që një qeveri e cila ka abuzuar për shtatë vite të shkarkohet. Ne sot do të jemi në sallë, do të provojmë ta përfundojmë mandatin e kësaj qeverie në këtë mënyrë”.

Për shpërbërje të Kuvendit janë shprehur edhe Grupi Parlamentar i PDK-së. Shefi i këtij grupi, Adem Grabovci, ndonëse e quan punën e Qeverisë Thaçi si të suksesshme, thotë se partia e tij nuk i frikohet zgjedhjeve.

“Ka qenë kërkesë e partive opozitare që të shkojmë në zgjedhje, dhe normalisht ne prej fillimit jemi deklaruar se ne nuk u frikësohemi shkuarjes në zgjedhje. Jemi të përgatitur në çdo kohë të shkojmë në zgjedhje. Besojmë fuqishëm në fitoren tonë sepse për shtatë vite të qeverisjes Thaçi jemi dëshmitar për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në vendin tonë”.

Votën kundër, në deklarime të më hershme, e kanë shprehur Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re. Për shpërndarje të Kuvendit, nevojiten 80 vota të deputetëve.