Kryeshefi i Ujësjellësit: Nga sot 24 orë ujë, lajmëroni problemet që mund të ndodhin me gypat

Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu ka thënë për lajmi.net se sonte lëshohet uji në orët e pasdites pa ndërprerje në të gjithë Prishtinën.

Lajme

27/03/2017 10:05

Ai ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit dhe kontrollin e gypave që ta nisin furnizimin nga fabrika e re në Shkabaj.

Abdullahu ka lutur të gjithë qyterarët që të bashkëpunojnë me dhe t’i lajmërojnë rastet e mundshme të ndonjë defekti në tubacione, për shkak se sipas tij, për herë të parë do të ketë presion të lartë në gypa.

“Sonte ne orët e pasdites do të dërgohet uji në rezervuarët e qytetit për të vazhduar furnizimi 24 orë lutemi qytetarët që të na lajmërojnë për çdo problem që mundemi të kemi në lidhje me rrjedhje të ujit në rrugët e qytetit gjatë natës pasi është hera e parë që tubacionet do të jenë në presion të lartë në kohën e mesnatës”, ka thënë Abdullahu për lajmi.net

Ai po ashtu iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta ruajnë dhe paguajnë ujin, duke treguar se ekipet e mirëmbajtjes janë 24 orë në terren.

“Ne emër të kompanisë ju urojmë një furnizim sa më të mirë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës me rrethin. Ju lutemi kurseni dhe pagani ujin që ta kemi të gjithë. Ndërsa ekipet e mirëmbajtjes do të jenë 24 orë në terren që të kujdesen për konsumatorët”, ka thënë Abdullahu për lajmi.net.

Ndryshe fabrika e re e ujit në Shkabaj pritet të zgjedh problemin e gjatë të furnizimit me ujë. Ky projekt ka qenë investim i ndërkombëtarëve dhe vendorëve, ndërsa është realizuar në KUR Prishtina./Lajmi.net/