Kryeqyteti pa parkingje publike, në ato private 1 euro një orë qëndrim

Mungesa e parkingjeve publike në kryeqytet po i detyron qytetarët që veturat e tyre t’i lënë në parkingje private, gjë e cila po i kushton buxhetit të tyre pasi parkimi për vetëm një orë në një prej parkingjeve publike në kryeqytet kushton prej 1 eurove e edhe më shumë.

Lajme

09/06/2018 09:32

Më të pakënaqurit nga kjo gjendje janë qytetarët të cilët detyrohen që veturat e tyre t’i lënë në këto parkingje. “Është një gjendje shumë e keqe. Ka ndodhur që për tri orë më është dashur që ta parkoj veturën në një prej parkingjeve në kryeqytet dhe më janë kërkuar 3 euro. Çmimet janë shumë të larta dhe Komuna nuk po ndërmerr asgjë lidhur me këtë gjë”, ka thënë N.G., banore e Prishtinës.

Lidhur me mungesën e parkingjeve asamblistë nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se plani për parkingjet është duke u lënë në harresë nga kryetari i Komunës Shpend Ahmeti. Tutje ata kanë deklaruar se do të bëjnë presion për këtë gjë dhe se së shpejti do të thërrasin mbledhje të Kuvendit Komunal për t’u diskutuar kjo çështje. Në anën tjetër, edhe pse pas disa tentimesh për të marrë përgjigje zyrtarë kompetentë për këtë gjë nga  Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje, shkruan gazeta “Zëri”.