Kryeqytetasit në hall nga minjtë e kundërmimi i fekaleve

Qytetarët e Prishtinës, në ditë të nxehta, po përballen me kundërmim fekalesh, në mungesë të rrjetit të kanalizimit, por me prezencë të minjve dhe iriqëve. 

Lajme

09/08/2014 20:33

Në disa lagje, banorët janë të shqetësuar nga minjtë dhe iriqët, që po vijnë nga kanalizimi i hapur. Kur bie shi, situata bëhet shumë e rëndë në lagjen Mati, ngase ujërat e zeza arrijnë nëpër puset e shtëpive dhe uji i tyre është i papërdorshëm.

Banorët e këtushëm kanë frikë nga epidemitë e mundshme e sidomos kur në përrua ka gjallesa të ndryshme.

Njëjtë po ndodh edhe në lagjen Kalabria. Këtu banorët janë në hall nga minjtë. Mbetjet e tyre janë gjithandej lumit Prishtevka, i cili tashmë është shndërruar në kanalizim të hapur.

Nga këtu, minjtë po u hyjnë banorëve nëpër shtëpi, duke u shkaktuar atyre frikën e bartjes së sëmundjeve.

Së fundmi, komuna ka shpallur tender për rindërtim, sanim të kanalizimeve, fekaleve primare dhe sekondare nëpër pjesë të ndryshme të territorit të komunës së Prishtinës, raporton KTV.