Kryeprokuroria shënjestron “peshqit e mëdhenj” (Video)

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha, ka bërë të ditur për futjen në funksion të një mekanizmi lidhur me përzgjedhjen dhe shënjestrimin e rasteve më të rënda në Prokurorinë e Shtetit, sidomos ato ekonomike.

Lajme

02/09/2014 12:22

Në këtë mekanizëm, Sylë Hoxha, bëri të ditur se do të jenë nën hetime gjithashtu edhe politikanë të njohur dhe kompanitë e fuqishme ekonomike.

Hoxha në një konferencë për media tha se funksionalizimi i këtij mekanizimi është i bazuar në planin strategjik për bashkëpunim ndërinstitucional në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit mes prokurorit të shtetit si dhe agjencive që zbatojnë ligjin në Kosovë.

“Objektivi i procedurës standarde të veprimit është që të parandalojë, zbulojë, hetojë dhe të ndjekë veprat më të rënda  përmes koordinimit të harmonizuar të veprimit të autoriteteve kompetente”.

“Personat kyç që do të sigurojnë zbatimin e këtij mekanizmi janë prokurori Shqipdon Fazliu, koordinator kombëtar për luftimin e krimit ekonomik dhe prokurori Elez Blakaj i cili përfaqëson zyrën e kryeprokurorit të shtetit”

“Prej këtij momenti e kemi formuar këtë ekip e cila do t’i evidentojë këto 50 raste më të rëndat por sigurisht që edhe në këto raste do të jenë edhe ‘peshqit e mëdhenj’. Fokusi ynë për momentin është në këtë numër, mirëpo do të shohim gjatë punës dhe aktivitetit”, shtoi Hoxha në një konferencë për media të mbajtur të martën.

Ndërkaq, prokurori Shqipdon Fazliu, duke folur për këtë mekanizëm, tha se ai është marrë nga praktikat më të mira të shteteve të BE-së, nga udhërrëfyesi i BE-së për liberalizimin e vizave dhe nga një dokument të strategjisë kombëtare për luftimin e terrorizmit e krimeve financiare.

“Kjo kompani është themeluar në bazë të një rasti nga kompania “HIB Petrol” dhe me këtë rast theksojmë se fakti i themelimi i këtij mekanizmi në asnjë rast nuk paragjykon rrjedhën përfundimtare të hetimit”.

“Tabela me 50 raste ku do të bartet tash e tutje në një databazë e ku do të jetë i kyçur edhe personi i deleguar nga ana e kryeprokurorit të shtetit, që është fjala për Elez Blakajn, përbën raste ku përfshihen edhe figura të njohura politike ku përfshihen por kompani të fuqishme”, tha Fazliu. (lajmi.net)