Kryeprokurori Syla i pafajshëm për ‘Zarfin e Gecit’ (Video)

Kanë pushuar të gjitha procedurat disiplinore ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë në Mitrovicë Shyqyri Syla. Syla po hetohej nga  Zyra e Prokurorit Disiplinor në lidhje me kërkesën që i ishte bërë prokurores Vahide Badivuku nga zyrtarë të lartë të prokurorisë për t’ua dorëzuar deklaratën e Gani Gecit rreth vrasjes së Ruzhdi Shaqirit.

Lajme

25/05/2016 17:04

 

Zarfi me deklaratën e Gani Gecit brenda ishte nisur nga Vushtrria për në Prishtinë për t’u kthyer përsëri në Vushtrri pasi që askush nuk e kishte pranuar në Prokurorinë e Shtetit.

Pushimin e hetimeve ndaj tij e konfirmoi edhe kryeprokurori Shyqyri Syla për KALLXO.com.

“Më është aprovuar ankesa që unë e pata bërë ndaj vendimit të komisionit disiplinor duke e arsyetuar së kryeprokurori ka të drejtë të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës dhe gjithashtu  janë pushuar të gjitha proceduarat disiplinore ndaj meje,” tha Syla.

Syla po hetohej për veprim të pakujdesshëm, sjellje të pahijshme dhe shkelje të mundshme të Kodit të Etikës së Prokurorit.

YouTube player

Në prill të 2015-ës emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimin ekskluziv të Vahide Badivukut, prokurores që po hetonte Gani Gecin për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Në bisedën e saj Badivuku ka nxjerrë në pah fakte të cilat dëshmojnë se zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Shtetit u interesuan të kuptonin se çfarë kishte deklaruar Gani Geci, i dyshuari kryesor i kësaj vrasjeje.

Badivuku kishte rrëfyer se si kolegë të saj pak orë pas përfundimit të intervistës i kërkuan një kopje të deklaratës së Gecit, pa i treguar asaj arsyet se pse po i kërkohej kjo deklaratë.

Prokurorja kishte përmendur emrat e udhëheqësve të atëhershëm të prokurorisë si Sylë Hoxha, Shyqeri Syla e Ismet Ujkani, si persona të involvuar në aferën e zarfit me deklaratën e Gani Gecit.

Badivuku gjithashtu kishte rrëfyer se si e kishte nisur deklaratën për në Prishtinë dhe si deklarata ishte kthyer pak orë më vonë në Mitrovcë.

Badivuku tregoi atëherëë edhe për momentin kur e kishte kuptuar se Sylë Hoxha nuk e kishte kërkuar deklaratën, por dikush e kishte keqpërdorur emrin e tij.