Kryeprokurori Lumezi thotë se gjykatat po i hedhin poshtë aktakuzat kur bëhet fjalë për njerëz të rëndësishëm

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka bërë fajtore gjykatat që nuk po kalojnë aktakuzat që përfshijnë njerëz të rëndësishëm, të cilët akuzohen për vepra penale të korrupsionit.

Lajme

30/05/2018 16:02

Një deklaratë të tillë, Lumezi e ka bërë në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ku ka paraqitur raportin e Prokurorit të Shtetit, për vitin 2017.

Gjatë raportimit të tij, Kryeprokurori Lumezi, deklaroi se sa i përket rasteve të korrupsionit që nuk kalojnë në gjykata, kjo sipas tij, po ndodh vetëm kur bëhet fjalë për emra të rëndësishëm.

“Nuk është e vërtetë ajo që raportohet në media se shumica e aktakuzave tona hudhen në Gjykatë. Në 89.15 % të rasteve këto aktakuza kalojnë në Gjykatë dhe të njëjtat marrin aktgjykime dënuese. Mirëpo, kjo situatë nuk është kështu edhe në rastet e korrupsionit. Por, kjo është një pikëpyetje e madhe. Pse njerëzit të cilët nuk kanë emër dhe mbiemër dënohen nga Gjykata dhe aktakuzat konfirmohen. Ndërsa ato aktakuza ku janë të përfshirë njerëzit e rëndësishëm me emra dhe mbiemër, ato nuk kalojnë në Gjykatë. Mirëpo, ne nuk i komentojmë vendimet gjyqësore edhe atëherë kur nuk pajtohemi me to, pos në rastet kur ushtrojmë mjetet juridike”, ka deklaruar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Punën e Prokurorit të Shtetit, gjatë viti 2017, Lumezi ka thënë se ka qenë e mirë, duke shtuar se shqetësim mbetet diskrepanca e madhe në mes shumës së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar.

“Në raport me numrin e lëndëve të kryera të gjitha prokuroritë kanë qenë në nivel të kënaqshëm. Departamentet për të mitur kanë funksionuar jashtëzakonisht mirë. Ka prokurorë në Departamentin e Përgjithshëm, i cili brenda vitit ka kryer 670 raste. Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) janë pranuar 207 raste, ndërsa janë zgjidhur 192. Por, duhet pasur parasysh se në këtë prokurori trajtohen raste të cilat janë shumë komplekse. Shqetësim mbetet diskrepanca e madhe në mes shumës së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar. Në vitin e kaluar ne kemi sekuestruar asete në vlerë prej mbi 15 milionë euro, ndërsa janë konfiskuar vetëm 1 milion e 330 mijë euro” ka përfunduar Kryeprokurori Lumezi.

I pakënaqur me vendimet e gjykatave që po i liron të akuzuarit për korrupsion, është shprehur edhe kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Bahri Hyseni, kur e ka prezantuar raportin e mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike, për periudhën Janar – Mars 2018.

Ai ka thënë se do të ishte më mirë, sikur prokurorët do të mblidhnin më shumë prova në aktakuzat e rasteve të korrupsionit.

“Ne jemi në rrugë të mbarë sa i përket numrit të zgjidhjes së rasteve. Ka një ngecje sa i përket rasteve të drogave. Kjo për arsye se në këto raste kërkohet të bëhet ekspertizë, dhe po vonohet deri sa po kryhet ekspertiza. Sa i përket rasteve të korrupsionit, ne po i zgjedhim ato raste dhe po ngrisim aktakuza, mirëpo të pandehurit po i liron Gjykata. Ne nuk i komentojmë vendimet e Gjykatave, por do të ishte më mirë sikur ne të mbledhim më shumë prova”, ka deklaruar Hyseni.

Koordinatorja Kombëtare kundër Korrupsionit, Laura Pula, ka paraqitur raportin për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike për periudhën Janar – Mars 2018, ku ka theksuar se norma e kryerjes së lëndëve të korrupsionit në raport me lëndët e pranuara është në rritje e sipër.

“Gjatë kësaj periudhe kohore të gjitha prokuroritë kanë pranuar 70 raste me natyrë të korrupsionit dhe prej tyre i kanë proceduar 58. Nga 107 persona që kanë qenë gjithsej, ndaj 25% të tyre kemi ngritur aktakuzë, 61% janë hudhur kallëzimet penale dhe në 21% janë pushuar hetimet. Shumica e këtyre rasteve kanë të bëjnë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në raportin me shkrim e keni të precizuar për secilin prokuror numrin e lëndëve të kryera dhe mënyrën e kryerjes së tyre. Dua të shtoj se norma e kryerjes së lëndëve të korrupsionit në raport me lëndët e pranuara është në rritje e sipër” ka përfunduar Pula.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka paraqitur raportin për aktivitetet dhe rekomandimet e këtij mekanizmi për periudhën Janar – Mars 2018.

Fazliu ka thënë kësaj periudhe nuk është asnjë rast i konfiskimit, duke shtuar se shpresa mbetet në udhëzuesin për politikën ndëshkimore të miratuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.

“Edhe në këtë raport është problemi që është theksuar edhe raportet paraprake, lidhur me dallimin e madh në mes të mjeteve të ngrira dhe të sekuestruara, në raport me mjetet të cilat janë konfiskuar. Gjatë këtij 3 mujori kemi pasur ngrirje apo konfiskim rreth 1 milion euro, ndërsa nuk kemi pasur asnjë rast të vetëm të konfiskimit. Këtë problem e përmend edhe raporti i progresit. Fatkeqësisht është krijuar një praktikë e keqe edhe nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit po i liron asetet të cilat po konfiskohen nga gjykatat e shkallës së parë. Në këtë mënyrë po dekurajohen edhe gjyqtarët e Gjykatave Themelore për të vendosur për konfiskim. Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka miratuar një udhëzues për politikat ndëshkimore. Nëse ky udhëzues do të aplikohet, atëherë do të ndryshojë pamja e sistemit të drejtësisë dhe shumica e lëndëve do të kryhen me marrëveshje për pranimin e fajësisë. Kjo për arsye se palët në procedurë penale do të jenë të njoftuar lidhur me dënimin që atyre do tu shqiptohet, dhe të njëjtit do të hyjnë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, siç ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Fazliu gjatë paraqitjes së këtij raporti.

Ndryshe, gjatë mbledhjes të së mërkurës, KPK ka hapur konkurs për 5 prokurorë në PSRK dhe është njoftuar nga kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit në mes KPK-së dhe UP-së./betimiperdrejtesi.com