Kryeministrin e magjeps Stadiumi

Kryeministri Hashim Thaçi ka përuruar renovimet në Stadiumin Olimpik \"Adem Jashari\", i cili është i gatshëm për ndeshjen e parë miqësore të Përfaqësueses së Kosovës. Thotë se është i impresionuar me pamjen që ka marrë Stadiumi. Ka mbetur veç edhe të fitojmë.

Lajme

03/03/2014 15:30

Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” është i gatshëm për lojën e parë zyrtare miqësorë të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Tashmë gjithçka është gati për nisjen e epokës së futbollit kosovar. Më 5 mars do të bëhet paraqitja e parë e Përfaqësues së futbollit të Kosovës në ndeshjen kundër Haitit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën, ka vizituar Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili do të jetë nikoqiri i kësaj ndeshje.

Në një postim të llogarinë e tij në Facebook, Kryeministri Thaçi është treguar i impresionur me punën që është bërë pas renovimit të këtij stadiumi.

“Sot përuruam renovimet në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku edhe do të zhvillohet ndeshja e parë miqësore zyrtare e Përfaqësueses së Kosovës”.

“U ndava i impresionuar me ndryshimet e bëra në këtë stadium, nga një investim prej rreth 740 mijë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Është edhe një pamje tjetër, e re, europiane, që dëshmon për ndryshimet e mëdha që janë bërë dhe po bëhen në shtetin tonë”.

“Pasnesër do të jetë ndeshja kundër Haitit dhe pres që të jetë një festë e vërtetë. Ju ftoj të gjithëve që tashmë keni blerë biletat që të festojmë në mënyrë sa më dinjitoze, për të treguar vlerat më të larta sportive”.

“Dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë punuar deri te kjo ditë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar miliona euro në infrastrukturën sportive, me theks në stadiume. Investimet do të vazhdojnë në të ardhmen”, ka shkruar Kryeministri Thaçi.